Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë po hesht për kërkesat tona për kthimin e pronës së trashëguar
Prof. Dr Aleks Vranaj LETER E HAPUR
I nderuar z. Grossruck, i nderuar z. Robert Bosch. Si një nga pronarët e bregdetit në pritje të kthimit me ligj të pronës së trashëguar tek i zoti, më lejoni t’ju drejtoj këtë letër publike pasi situata kërkon shpjegim publik. Duke parë heshtjen permanente të Qeverisë dhe tuajën ndaj ankesave tona për shkeljen sistematike të të drejtës së pronësisë, Kryesia e Shoqatës “Bregdeti” i ka drejtuar kërkesa jo vetëm ambasadorëve të trupit diplomatik të OSBE, BE, të KE etj. të akredituar në Shqipëri por edhe shumë institucioneve të tjera Evropiane dhe ndërmjet tyre: Sekretarit të Përgjithshëm Kanat Bekmyrzayevich Saudabayev, Kryetarit të Zyrës së Sekretariatit të OSBE Marc Perrin de Brichambaut, Drejtorit të Zyrës së OSBE për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Janez Lenar?i?. Përfaqësia e OSBE ne Tirane është në dijeni prej shoqatës „Bregdeti“ me kërkesat e saj me qëllim që procesi i kthimit të pronës, tashmë i devijuar dhe i lënë në harresë nga demagogjia politike të vendoset e rrugën e zgjidhjes, është kërkuar si imperative dhe fjala e OSBE që të ndikojë në Qeverinë dhe politikën shqiptare jo vetëm për kutitë e votimit por në radhë të parë për respektimin e të drejtës së pronës. Ne presim fjalën tuaj që procesi i kthimit fizik të pronave të ndahet nga ai i kompensimit, duke përcaktuar një afat kohor të shkurtër për përmbushjen e këtij procesi në përputhje me artikullin 41 dhe 181 të Kushtetutës së Shqipërisë si dhe të artikullit 191 të dokumentit No. 11115 të datës 20 Dhjetor 2006 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo nuk mund të lihet pas dore si një ankesë individuale që duhet ta zgjidhin gjykatat pasi është parim dhe qëndrim moral një zgjidhje në themel që respekton të drejtat themelore të njeriut dhe shmang anarkinë institucionale. Nëpërmjet medias, u informuam se z. Grossruck zv/ President i OCBE po kalon pushimet në Sarandë. Ne mbetëm të habitur dhe të deziluzionuar nga mendimi i Grossruck (referuar sa është shkruar në gazetë) se turizmin e zhvillon ai që është më i shpejti dhe as z. Grossruck as Ambasadori OSBE në Tiranë z. Robert Bosch deri tani nuk kanë thënë asnjë fjalë për ankesat tona për domosdoshmërinë e respektimit të të drejtës së pronësisë së tokës si kusht themelor për zhvillimin e demokracisë dhe të turizmit. Si është e mundur heshtja juaj për pronën? Është faktike që prej 19 vjetësh pronat tona akoma nuk janë kthyer tek i zoti, ashtu siç janë kthyer në veri dhe ky standard i dyfishtë brenda shtetit është shkak I protestave të vazhdushme të popullit në rrugë. Nëse Shoqata Bregdeti dhe shoqata pronësi me Drejtësi, ka shkruar dhe publikuar deri më sot me dhjetra artikuj, letra e peticione duke sugjeruar edhe zgjidhjen dhe megjithëse këto kërkesa janë dërguar edhe në kancelaritë Evropiane dhe përsëri problemi i pronës shmanget plotësisht dhe nuk vihet në qendër të diskutimit, më lejoni t’ju pyes: a i jep kjo heshtje vlerë konkluzionit të z. Bledar Prifti gazetar i “Shekullit” që thotë: “tashmë mund të flitet me plot gojë se organizmat Evropiane janë viktima ose të injorancës së Politikanëve të tyre mediokër ose viktima të disa funksionarëve europianë të sponsorizuar dhe të blerë nga qeveritarët”?. Ne mendojmë se të mbrosh pronën, forcon drejtësinë dhe se respektimi i të drejtës së pronës është një çështje me rëndësi të madhe jetike për popullin tonë. Me bindjen se turizmin nuk mund të zhvillohet në ajër dhe pa kthyer tokat turistike tek pronari i ligjshëm i grabitur nga diktatura komuniste, ju kërkojmë që të përdorni të gjitha mjetet që keni në dispozicion që të influenconi tek Qeveria dhe tek klasa politike Shqiptare, që të veprojnë në përputhje me aspiratat e saj, të BE si dhe me angazhimet e saj ndaj Deklaratës së Kopenhagenit, duke kondicionuar hyrjen e Shqipërisë në BE me faktin që klasa politike dhe qeveria e saj do të duhet të ofrojnë zgjidhje reale, që të sigurojnë respektin e plotë të të drejtës bazë të njeriut të gëzimit dhe të respektit të pronës si edhe të drejtave të tjera bazë të gërshetuara thelbësisht me të si liria, barazia, demokracia, siguria, stabiliteti dhe zbatimi i ligjit. Këto janë vlera që shërbejnë si gur themeli për zgjerimin e BE dhe më e rëndësishmja, këto janë vlera vitale për vetë popullin dhe mbas 19 vjetësh demokraci nominale, ka kohë që i ka kaluar zenithi, që populli shqiptar të fillojë të shijojë këto të drejta. Në pritje të përgjigjes tuaj publike. Prof Dr. Aleks Vranaj