English

Ribotohen “kujtimet” e Eqrem Bej Vlorës

Tiranë, 25 gusht, NOA - Kujtimet dhe dëshmitë e rralla të Eqrem Bej Vlorës do të ribotohen nga shtëpia botuese IDK, pas mungesës prej mëse njëvjeçare në tregun e librit.

Këto kujtime, të cilësuara si një nga librat më interesantë për historinë e Shqipërisë të botuar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit janë një rrëfim ku ndjen drithërimat e jetës së trazuar të një njeriu, të syrgjynosur diku larg në mërgim dhe që i vihet punës për të ndërtuar tablo, fytyra, emocione dhe ngjarje të së shkuarës së tij.

“Një libër magjepsës! Një nga dëshmitë më interesante për këdo që dëshiron të njohë të shkuarën tonë, atë çka s’e gjen dot në librat e historisë dhe që të ndihmon të kuptosh shumëçka sot në kundërshtitë e dritëhijeve të jetës shqiptare”, shkruan në parathënien e librit studiuesi Pirro Misha.

Sipas tij kjo vepër do të hyjë në fondin e artë të letrave shqipe, duke shtuar aty diçka që na mungonte.

“Duke qenë se kujtimet janë shkruar nga një pinjoll i një prej familjeve të mëdha të Shqipërisë e të Perandorisë Otomane, një nga njerëzit më të kulturuar të kohës, me një ndjeshmëri që e bën të tingëllojë aq modern, Eqrem Bej Vlora na ka dhënë një ndër dëshmitë më interesante e më të ndershme për një nga periudhat më të trazuara të historisë sonë”, thotë studiuesi Misha.

Kujtimet e Eqrem Bej Vlorës përcjellin në ditët tona dëshmi dramatike të përmbysjes së madhe të një perandorie, çka shënoi fillimin e dhimbshëm e kaotik të transformimit të shqiptarëve dhe, njëkohësisht, të lindjes së Shqipërisë moderne.

Studiuesi Misha nënvizon më tej në parathënien e librit se kujtimet e Eqrem Bej Vlorës janë dëshmi dramatike e shembjes së një bote të tërë, dhe në këtë kontekst citon Eqrem Bej Vlorën që shkruante “një botë merr me vete teposhtë ata, që deri atëherë qëndronin në majat e hierarkisë së shoqërisë, duke i “humbur nën gërmadhat dhe nën pluhurin e marrëzisë së barazimtarisë”, që kupton pashmangshmërinë e ndryshimeve, dhe i përjeton ato si një dramë personale…

Libri “Kujtime” i Eqrem Bej Vlorës, i cili jetoi në vitet 1885-1925, të përkthyera nga Afrim Koçi janë përmbledhur në plot 618 faqe.

mit/NOA

KOMENTE