Tiranë, 25 gusht, NOA – Ndërsa thatësira është e madhe dhe sipas parashikimeve të meteorologëve temperaturat pritet të vazhdojnë të jenë të larta edhe për dhjetëditëshin në vijim, Ministria e Mjedisit u ka kërkuar sot Njësive të Qeverisjes Vendore, të rrisin angazhimin e tyre dhe të marrin përgjegjësitë me të cilat i ngarkon ligji për parandalimin, njoftimin në kohë si dhe shuarjen e zjarreve në pyje dhe kullota.
Ministria duke iu referuar situatës së zjarreve në vend, i ka bërë thirrje të gjithë barinjve, përdoruesve të pyjeve, pushuesve dhe banorëve, që gjenden pranë zonave pyjore të bëjnë kujdes në përdorimin e zjarrit në këto ditë të nxehta.
Zëvendësministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Auron Meneri tha në një konferencë për shtyp se ”Dua të bëj të qartë që Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave do të veproje me gjithë forcën e ligjit për të proceduar penalisht çdo rast zjarri të shkaktuar nga veprimtaria njerëzore”.
Zoti Meneri, tha se Ministria e Mjedisit, po monitoron nga afër situatën në të gjithë territorin e vendit dhe ka ndërhyrë energjikisht për përballimin e zjarreve në pyje dhe kullota, dhe pohoi se ”Zjarret më problematike kanë qenë në zonën e Himarës, në fshatrat Navaricë dhe Leshnicë të Sarandës; në fshatin Dropull i sipërm të Gjirokastrës, në Lezhë, Shkodër”.
Ndërsa zjarre më të vegjël janë shfaqur në rrethet Pukë, Tepelenë, Berat, Kukës, Mallakastër, Korçë, Delvinë e Tropojë.
Sipas zëvendësministrit Meneri, vëmendje e veçantë i është kushtuar monitorimit të situatës në parqet kombëtare.
Sipas tij, shfaqje zjarri ka patur vetëm në parkun kombëtar të Valbonës, ku zjarri është izoluar pa shkaktuar dëmtime.
”Sipërfaqet më të mëdha janë djegur në rrethin e Sarandës rreth 38 ha pyje dhe në rrethin e Vlorës rreth 20 ha pyje. Në shkallë vendi janë djegur rreth 120 ha pyje. Deri tani nga të dhënat operative rezulton se dëmtimet në pyje të lartë janë minimale”, theksoi zëvendësministri i Mjedisit.
Ai konfirmoi sakaq se në shumicën e rasteve zjarret janë shkatuar nga aktivitetet njerëzore si pakujdesia, djegia e kullotave, djegia e mbeturinave, zjarre të qëllimshme për konflikte pronësie, etj.
Zëvendësministri Auron Meneri bëri të ditur se ”për 20 raste zjarresh janë bërë denoncimet pranë organeve përkatëse për shkatërrim prone me zjarr”.
mit/NOA