Tepelenë, 26 gusht, NOA – Për tu shpëtuar akuzave të policisë për zjarrëvënie, një 49 vjeçar nga Tepelena ka përdorur vajzat e tij 13 dhe 9 vjeç për të djegur pyjet dhe kullotat.
Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se Policia e Tepelenës ka arrestuar ditën e djeshme Metlli Memushin, nga fshati Salari, i cili ka djegur një sasi të konsiderueshme pyjesh dhe kullotash, duke përdorur për këtë gjë fëmijët e tij.
Mendohet se Memushi i ka djegur pyjet për t’i përdorur tokat djerrë, vite më pas për ushqimin e bagëtisë duke eliminuar shkurret dhe pemë që bllokonin zonën.
Memushi është arrestuar pas njoftimit të policisë se një person me makinë po vendoste zjarrin në disa zona të pyllit, përgjatë rrugës Tepelenë-Salari.
Ai qëndronte vet në makinë dhe udhëzonte vajzat e tij minorene që të vendosin zjarrin në pikat ku mund të shtohej me shumë flaka.
Forcat e policisë dhe zjarrfikësit kanë shkuar në vendin e sinjalizuar me anë të një telefonate dhe kanë bërë të mundur ndalimin e Memushit. Zjarri në këtë zonë është mundur të shuhej vetëm gjatë orëve të natës së djeshme.
Ndërkohë që për zjarrëvënie të qëllimshme në qarkun e Gjirokastrës janë në ndjekje penale dhe tre persona të tjerë.
a.k/NOA