Athinë, 26 Gusht 2010 NOA - Qeveria shqiptare ashtu si dhe ajo greke e kanë dënuar vrasjen e shëmtuar të 35-vjeçarit Aristotel Guma në Himarë dhe në këtë pikë, nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim, aq më tepër, nuk duhet të nxiten ekstremistët.
Këtë pohim ka bërë sot, Ministri i Jashtëm Plotësues Dhimitris Droutsas, gjatë një interviste që ai dha për radion 1 në Athinë.
Ai u pyet lidhur me zhvillimet e fundit në raport me Shqipërinë dhe u ndal në ngjarjen e Himarës.
“Janë disa fenomene që po ndjekim kohët e fundit të cilat kanë acaruar pak gjërat, sidomos me vrasjen e një bashkëkombësi tonin në Shqipëri për shkaqe që nuk u shkojnë mendjes përshtat”, - deklaroi z.Droutsa, duke iu referuar dyshimeve se vrasja e Aristotel Gumës erdhi pas një konflikti pse ai fliste në gjuhën greke.
Pikërisht këtu ka ndërhyrë gazetari grek: “Sepse fliste greqisht”. Përgjigjja në vazhdim e z.Droutsa: “Përdor termin e përdorur më parë. Në kohët moderne në të cilat jetojmë këto gjëra nuk u shkojnë përshtat mendjes së njeriut”.
Duke mbetur në këtë argument, ministri i Jashtëm plotësues grek tha se “ne që nga fillimi kemi shprehur keqardhjen tonë për këtë incident” dhe shtoi: “Unë nuk e fsheh, ka një shqetësim. Dhe që nga momenti i parë ne kemi dërguar opinionin tonë të prerë në Qeverinë e Shqipërisë. Nuk duhet të lejojmë incidente të tilla, të cilat dua të shpresoj që janë të izoluara dhe nuk do të ngjasin më”.
Këtu, ministri lëshoi dhe një mesazh të qartë: “Gjithashtu, ne nuk duhet të lejojmë që ngjarje të tilla të mund të shfrytëzohen nga disa, mund të them, - forca dhe ide ekstremiste, - për të krijuar një klimë tensioni me shtetasit shqiptarë që jetojnë në vendin tonë. Kërkoj shumë vëmendje shumë për këtë argument”.
Më tej z.Droutsa iu referua dhe reagimit që përçoi qeveria shqiptare duke e vlerësuar atë: “Edhe Qeveria e Shqipërisë, unë dua ta theksoj këtë që të mos ketë keqkuptime, se dhe pikërisht Kryeministri i Shqipërisë, z. Berisha doli me një deklaratë publike ku dhe ai me të njëjtën mënyrë si ne, prerazi, dënoi këtë incident”.
Në vijim të përgjigjes, z.Droutsa nuk ka ngurruar të demonstrojë edhe një herë mbështetje të plotë siç tha ai, për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai pohoi se është në interesin e Greqisë që kjo të ndodhë dhe shpjegoi arsyen: “Është në interesin tonë të kemi fqinjësi me vende të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian, sepse kështu të gjitha këto shtete, do të respektojnë normat e vendosura nga Bashkimi Evropian”.
Kurse në përfundim, theksoi se “sigurisht ne presim dhe që Qeveria Shqiptare të bëjë atë që është e nevojshme për të respektuar të drejtat e minoritetit etnik grek në Shqipëri”.
n.s/e.r/NOA