English

Basha: Shqipëria sot jo vetëm nuk eksporton pasiguri, por jep ndihmesë të vyer antikrim

Tiranë, 26 Gusht 2010 NOA – “Shqipëria është sot një vend që jo vetëm nuk eksporton pasiguri dhe krim, por jep një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar transkufitar, jep një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në luftën kundër trafiqeve ilegale, jep një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në implementimin e platformave dhe ligjeve pararojë, siç është dhe ligji për konfiskimin e aseteve kriminale”.

Kështu deklaroi sot Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha ndërsa mori pjesë në ceremoninë e dekorimit me Medaljen e Mirënjohjes nga Presidenti i Republikës të oficerit ndërlidhës britanik në Shqipëri Z. Ben Swanson i cili largohet nga kjo detyrë.

Medalja e Mirënjohjes për Z. Ben Swanson u dha me motivacionin “ Për shërbime të shquara në mbështetje të Policisë së Shtetit Shqiptar si dhe kontributin e dhënë për forcimin e bashkëpunimit midis dy policive të dy vendeve mike, Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe”.

Duke vlerësuar bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe agjencisë britanike në luftën kundër krimit të organizuar SOCA, Ministri Basha u shpreh se shkëmbimi i programeve, asistenca e drejtpërdrejtë, krijimi dhe trajnimi i njësisë së agjentëve në mbulim të Policisë së Shtetit dhe operacionet e përbashkëta kanë shtruar rrugën për një partneritet shumë më të ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit në Britaninë e Madhe por edhe me vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Duke përmendur faktin se Shqipëria është sot një vend që jo vetëm nuk eksporton pasiguri dhe krim, por jep një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar transkufitar, z.Basha theksoi se “gjithë kjo përpjekje e madhe mbështetet mbi supet e profesionistëve të dedikuar të Policisë së Shtetit, të agjencive të zbatimit të ligjit dhe për pesë vite me radhë, njëri prej tyre ndonëse nën uniformën e kolegëve britanikë ka qenë Z Ben Swanson,-u shpreh Ministri Basha.

Z. Ben Swanson duke e cilësuar një nder të veçantë vlerësimin e bërë nga Policia e Shtetit dhe Qeveria Shqiptare, u shpreh se çdo gjë e arritur në këto pesë vite mes agjencive britanike të zbatimit të ligjit dhe Policisë së Shtetit është diçka e arritur përmes një partneriteti të plotë.

“Kemi parë rritje profesionale në Policinë e Shtetit këto vite gjë që jam i bindur se do të vazhdojë dhe në të ardhmen”, - tha Z. Swanson gjatë fjalës së tij.

Ndërkohë Ambasadorja Britanike Zj. Fiona Mcllwham theksoi se marrëdhënia mes policisë shqiptare dhe agjencive ligjzbatuese britanike është transformuar në një partneritet të vërtetë që ka dhënë rezultate.

“Ky partneritet është shumë i rëndësishëm dhe qeveria britanike mirëpret mundësinë për të konsoliduar më tej këtë progres, në kuadër të përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, por edhe për të luftuar krimin e organizuar që na dëmton si ju edhe ne”, - deklaroi ambasadorja Mcllwham.

e.r/NOA

KOMENTE