English

CRCA: Zhdukja e Bleonës, Policia të mos ndalë kërkimet

Tiranë, 26 Gusht 2010 NOA - Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA / DCI Shqipëri) deklaroi sot se ajo është shumë e prekur dhe e shqetësuar për faktin që kërkimet për gjetjen e Bleona Matës, vajzës 6 vjeçare të humbur në Zapod të Kukësit, deri më sot nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Bleona Mata, një vajzë 6 vjeçe nga Rrethi i Kukësit, u zhduk në rrethana ende të pashpjegueshme në 22 Maj 2010 dhe që prej asaj kohe familja e vajzës nuk ka marrë asnjë lajm në lidhje me vendodhjen e vajzës së tyre dhe gjendjen e saj.

Drejtues të CRCA / DCI Shqipëri komunikuan sot me familjarët e Bleonës, të cilët shprehën shqetësimin e tyre se të paktën në 20 ditët e fundit kërkimet janë ngadalësuar shumë. Familjarët e 6-vjeçares së humbur kërkojnë dyfishim të ekipeve të kërkimit, një kërkesë që ne si organizatë e mbështesim plotësisht.

Zhdukja e një fëmije është një ngjarje e rëndë për çdo shtet të botës, pasi ajo ve në provë funksionimin e strukturave policore dhe atyre të mbrojtjes së fëmijëve.

Nga ana tjetër strukturat e specializuara të shtetit dhe të policisë merren me mbledhjen e informacioneve konfidenciale, që në rastin konkret nuk duket të ketë ndodhur.

Që nga momenti i zhdukjes së Bleonës, puna e Policisë së Shtetit është fokusuar tek kërkimi i vajzës, ndërkohë është vërejtur se ka mungesë të informimit publik në lidhje me masat dhe veprimet që ka marrë Policia e Shtetit për gjetjen e 6 vjeçares së humbur.

Në faqen e internetit të Policisë së Shtetit mungon informacioni në lidhje me Bleona Matën. Po ashtu familjarët e Bleona Matës nuk janë asistuar me ndihmë psikologjike të specializuar në të tilla raste, gjë që rrit presionin ndaj punës së policisë, pasi mungesa e masave shoqëruese shpesh krijon përshtypjen se rasti është trajtuar shkarazi apo sa për t’u dukur.

CRCA / DCI Shqipëri thotë se ndonëse nuk vë në dyshim punën e Policisë së Shtetit për gjetjen e vajzës 6 vjeçare të zhdukur tashme prej 3 muajsh, përsëri kërkon që ajo të forcojë punën e saj në drejtim të informimit të familjarëve dhe të publikut të gjerë në lidhje me këtë rast. Një serë pyetjesh mbeten të papërgjigjura:

1. A është Bleona Mata e rrëmbyer apo zhdukur? 2. A janë kontaktuar Policitë e shteteve fqinje (Greqi, Maqedoni, Kosovë, Bullgari, Rumani, Serbi, Mal i Zi, Bosnjë dhe Kroaci) për të kërkuar informacion në lidhje me 6 vjeçaren Bleona Mata? Nëse po cila ka qenë përgjigjja e tyre? 3. A ka patur persona lokalë që janë përfshirë në zhdukjen apo rrëmbimin e Bleona Mata? 4. Deri kur mendojnë drejtuesit e Policisë së Shtetit të vazhdojnë me kërkimet për gjetjen e Bleona Matës? 5. A ka caktuar Policia e Shtetit një shpërblim për këdo që jep informacion të saktë dhe të verifikueshëm për gjetjen e Bleona Matës? CRCA / DCI Shqipëri thotë se është poashtu e shqetësuar për mungesën e reagimit të publikut të gjerë në Shqipëri për humbjen e një fëmije. Me këtë rast ne do t’i kërkonin çdo qytetari që ka informacion në lidhje me vendndodhjen apo se çfarë ka ndodhur me Bleona Matën, të lidhet me institucionet e Policisë së Shtetit ose me Linjën Kombëtare të Telefonit për Fëmijët në Shqipëri ALO 116!

Ndërkohë në bazë të kërkesës së CRCA / DCI Shqipëri dhe ALO 116 sot ka reaguar edhe Qendra Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur dhe të Shfrytëzuar ka shpërndarë sot në të gjithë botën posterin me fotografinë e Bleona Matës duke i kërkuar çdo autoriteti dhe individi që nëse sheh vajzën 6-vjeçare të kontaktojnë me autoritetet shqiptare ose ALO 116.

e.r/NOA

KOMENTE