Beograd, 26 gusht, NOA - Zëvendëskryeministri i Serbisë, Bozhidar Gjeliç, vlerësoi se nuk po shqyrtohet opsioni, që tërheqja e propozim rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do t’i shpejtonte integrimet evropiane.
“Nuk ekziston shkop magjik, që në këtë moment do t’i hapte tërësisht dyert evropiane, pasi pengesë në këtë rrugë nuk është vetëm zgjidhja e çështjes së Kosovës”, tha Bozhidar Gjeliç, duke e refuzuar mundësinë që Serbia të arrijë në situatë, që të “mbetet edhe pa Evropën, edhe pa Kosovën”.
Në këtë aspekt, ai i tha së përditshmes beogradase Veçernje Novosti, se “brenda BE-së nuk ekziston konsensus për Kosovën”, prandaj Brukseli nuk mund ta vendosë Serbinë para alternativës “ose Kosova, ose BE-ja”.
Megjithatë ai ka theksuar se “për të gjithë është e qartë se duhet të zgjidhet çështja e Kosovës, në mënyrë që i gjithë rajoni pa pengesa të hyjë në Evropë”.
Ai i ka hedhur poshtë spekulimet se në qeverinë e Serbisë ka konflikte të partnerëve të koalicionit, lidhur me politikën për Kosovën dhe ka theksuar se qeveria ka pajtueshmëri.
NOA