Krujë, 26 gusht, NOA – Informacionet nga banorët e një fshati i kanë çuar agjentët e policisë në zbulimin e një parcele të mbjellë me hashash, por pa mundur të arrestojnë kultivuesin e tyre.
Korrespodenti i Agjencisë NOA në Krujë, raporton se gjatë mbrëmjes së djeshme, forcat e policisë kanë arritur të sekuestrojnë një sasi të konsiderueshme hashashi. Lënda narkotike është gjetur në vendin e quajtur “Liqeni i Bacungut”, në fshatin Zgërdhesh të Krujës.
Policia kish marrë informacionin se në afërsi të këtij liqeni është mbjellë hashash, por pa njohur koordinatat e sakta.Agjentët e policisë kanë bërë kontrollin e gjithë bregut të liqenit, deri sa kanë hasur lëndën narkotike, e cila ka qenë në një parcelë prej rreth 180 metrash katrorë, ku ishin mbjellë 78 rrënjë hashash.
Policia ka bërë sekuestrimin dhe më pas asgjesimin e lëndës narkotike. Ndërkohë që po hetohet për gjetjen e kultivuesve të saj.
a.k/NOA