English

Gratë e policëve të vrarë, ministria e Brendshme merr masa për t’i punësuar

Tiranë, 26 Gusht 2010 NOA - Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për herë të parë këtë vit, u kanë ofruar mundësinë të gjitha familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës të kryejnë pushimet verore falas në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme.

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u takua sot në Durrës me disa familjarë të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës të cilët janë duke kryer pushimet në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme.

Duke siguruar se kjo mundësi do të ofrohet edhe për vitet në vazhdim, Ministri Basha u shpreh se kjo është pjesë e një pakete masash të marra edhe në zbatim të ligjit të ri të miratuar nga parlamenti shqiptar.

Ky ligj parashikon shpërblimin financiar të çdo familje të të rëni me rrogën e plotë të personelit të policisë, të punonjësit të policisë të rënë në krye të detyrës dhe rritjet që do të përfitonte në rast të vazhdimit të karrierës, parashikon bursa studimi për të gjithë fëmijët e policëve të rënë.

Lidhur me këtë fakt, Basha evidentoi edhe se ligji parashikon trajtimin me përparësi për strehimin e tyre.

Ndaj ministri theksoi se në plotësim të këtyre masave që parashikon ligji, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të bëjnë të gjitha përpjekjet për punësimin e çdo bashkëshorteje të papunësuar akoma dhe në gjendje pune, pra jo në moshë pensioni si dhe për pushimin e plotë të këtyre familjeve me shpenzimet e Ministrisë së Brendshme gjatë sezonit.

Basha u bëri të ditur familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës se brenda një jave Këshilli i Ministrave do të miratojë udhëzimin përkatës për zbatimin e ligjit dhe duke filluar nga shtatori të gjitha përfitimet që parashikon ligji do të zbatohen në mënyrë uniforme për të gjitha familjet.

Në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme kanë pushuar deri më tani 140 familje të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës dhe secila prej familjeve pati mundësi që të përzgjidhte periudhën 10 ditore të pushimit nga 1 korriku-10 shtator.

e.r/NOA

KOMENTE