Nga Antoine Blua
Gjenerali James Konvej, komandant i lartë i Marinës së Shteteve të Bashkuara, ka shprehur shqetësim se korriku i vitit të ardhshëm, që është afati i presidentit Barak Obama për fillimin e tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, po i inkurajon talibanët.
Ai, po ashtu, ka tërhequr vërejtjen se do të duhen edhe disa vite që pjesa jugore e Afganistanit, të jetë e sigurt aq sa do të mundësohej tërheqja e pjesëtarëve të ushtrisë amerilkane. Në një konferencë për shtyp në Uashington, pas vizitës në Afganistan, gjenerali ka shprehur shqetësim se afati mund t’i sinjalizojë talibanët se Shtetet e Bashkuara po përgatiten për ta ulur intensitetin e luftës. “Në disa mënyra, ne mendojmë se tash me gjasë po u jepet inkurajim armiqve tanë. Ne mendojmë se armiku mund t’i thotë vetvetes se ne vetëm duhet ta mbajmë situatën sa më gjatë. Këto i kemi dëgjuar me rastin e ndërhyrjes në komunikime”, ka thënë gjenerali amerikan. Analisti afgan i sigurisë, Amrullah Aman, njëherësh ish-oficer i lartë ushtarak, është pajtuar me konstatimin se fillimi i tërheqjes i jep moral armikut. “Pavarësisht të gjitha këtyre komenteve nga vendet evropiane dhe Amerika, mendoj se ata do ta tërheqin vetëm një numër të vogël të ushtarëve nga Afganistani. Por, kjo do ta shtojë moralin e armikut dhe do të krijojë një shtytje të re për rekrutim”, ka vlerësuar analisti Aman. Vlerësimet e gjeneralit Konvej, do ta nxisin debatin lidhur me strategjinë e presidentit Obama për luftën, duke u dhënë argumente politikanëve amerikanë, që e kanë kritikuar afatin, të thonë se kjo tregon mungesë të vendosmërisë. Barak Obama ka thënë se kushtet e sigurisë do të përcaktojnë se sa trupa amerikane mund të largohen nga Afganistani. Ai dhe mbështetësit e tij e mbrojnë afatin e përcaktuar si mënyrë për t’i detyruar lidertët afganë, që të veprojnë shpejt për ta marrë përgjegjësinë për siguri. Gjenerali Konvej u kishte thënë pjesëtarëve të ushtrisë amerikane në provincat afgane Helmand dhe Kandahar, se ushtria dhe policia e Afganistanit nuk do të jenë të gatshme për ta marrë përgjegjësinë nga trupat e jashtme për së paku disa vjet. Për këtë arsye, ai ka theksuar se dëshiron t’i përgatisë ushtarët për mundësinë se lufta do të vazhdojë edhe pas afatit të paraparë për 2011. Sipas gjeneralit Konvej, për moralin e talibanëve, me gjasë, do të jetë goditje e fuqishme, kur të shohin se në horizont nuk ka tërheqje madhore të forcave të Shteteve të Bashkuara, të vendosura në pjesën jugore të Afganistanit, ku kishin dominuar talibanët. /RFE/