Mënyra se si po e lufton EULEX-i korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë nuk dallon shumë prej angazhimit të Al Kapones në luftë kundër mafies në krye të së cilës ishte vet bossi! Ishin disa raste në Kosovë që më bënë përshtypje për të shkruar dhe unë po i radhis sipas vlerësimit tim për rrezikshmërinë time personale, të rrethit dhe ma gjerë
Nga Behxhet Sh. Shala
Sot, në Republikën e Kosovës, shtet “ sovran” dhe i “ pavarur” po ndodhin zhvillime “ dramatike”! Po luftohen të gjitha dukuritë negative duke filluar nga korrupsioni i cili, nëse vazhdohet të luftohet në këtë mënyrë te ne do të mbetet vetëm si shprehje gjuhësore e fjalorit shqip- shqip! E pabesueshme si po e lufton korrupsionin EULEX-i! Tallje më të madhe askush deri më sot nuk e ka bërë me qytetarët e Kosovës së vogël por me probleme të mëdha! Mënyra se si po e lufton EULEX-i korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë nuk dallon shumë prej angazhimit të Al Kapones në luftë kundër mafies në krye të së cilës ishte vet bossi! Ishin disa raste në Kosovë që më bënë përshtypje për të shkruar dhe unë po i radhis sipas vlerësimit tim për rrezikshmërinë time personale, të rrethit dhe ma gjerë.
Rasti Kajdanov: Ish shefja e zyrës amerikane dhe më vonë ambasadorja e parë e SHBA-ve në Kosovë, e që në kohë të lirë e ushtronte postin e presidentit, kryeminstrit dhe kryeparlamentarit të Kosovës, Tina Kajdanov u rikthye në Ballkan përmes dyerve të mëdha duke u emëruar nr. 1 për Ballkanin nga administrata amerikane në Washington. Reagimi i Serbisë ishte i menjëhershëm duke e cilësuar se është kundër serbëve dhe Serbisë. Këtë nuk e besoj aspak! Thënë të drejtën, as unë nuk kam shumë arsye të ndjehem komod dhe i qetë! Madje, me të dëgjuar këtë lajm kam filluar të kërkoj një zgjidhje për veten time; ku të shkoj dhe si të gjej dikun ndonjë strehim, qoftë si azilant ekonomik, politik apo humanitar! Apo, në rrethanat e krijuara më mirë dhe më e levërdishme do të ishte të paraqitem si azilant nga frika ( tuta). Me vete do t’i marr të gjitha shkrimet të tri ( 3 ) viteve të fundit dhe besoj se pasi t’i lexojnë ato shkrime, nuk do të ketë shtet që do të ma refuzonte lejeqëndrimin! Tash po më bien ndër mend fjalët e Fadil Hoxhës kur thoshte se ;” bira e minit, 300 groshë” me të cilat kualifikoheshin kontrarevolucionarët e demonstratave “armiqësore” të vitit 1981, pjesa më e madhe e të cilëve sot janë në pushtet! Dhe, duhet pranuar se e kënaqën krejt! Unë vërtetë jam në pozitë jo të lakmueshme; as nuk i kam 300 groshë e as nuk më nxen bira e minit ose, përkthyer shqip; as nuk i paguaj 300 groshë e as nuk futem në birë të miut! Ate çka kam shkruar për Tinën nuk e ndryshoj as për një pikë apo presje të vetme! E lëre më t’i ndryshoj shenjat tjera të pikësimit siç janë kllapat, thonjëzat.etj., e që janë shumë më të komplikuara! Por duket se do të shpëtoj edhe kësaj radhe sepse pikërisht bisedimet e paralajmëruara dhe të të imponuara politike ( teknike) midis Serbisë dhe Kosovës do të jenë kallauzi i shpëtimit tim! Pastaj, po më shpëton emërimi i “rastësishëm” i Tinës si kryetare e Ballkanit pikërisht në këtë kohë dhe para fillimit të bisedimeve! Krejt i “rastësishëm” duhet ta pranoj!
Rasti Jarine: Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, gjenerali Behar Selimi ndërmorri masa kundër komandantit të pikës kufitare në Jarine për shkak të performacës së tij të dobët duke e zhvendosur në një pikë kufitare më pak frekuentuese. Performanca e dobët dhe lodhja e madhe ishin arsye të kësaj zhvendosjeje. Pastaj, nëse edhe këtu dështon atëherë do ta caktojnë edhe në një vend tjetër dhe nëse edhe atje dështon atëherë mund ta emërojnë si zëvendësdrejtor në Policinë e Kosovës apo komandant në stacionin policor të Kalemegdanit në Beograd! Dashakëqinjtë po thonë se komandanti serb i pikës kufitare në Jarine është larguar nga aty sepse i ka penguar gardistët e Car Llazarit ta fusin në Kosovës armatimin e rëndë duke i lejuar këta gardistë paramilitarë t’i fusin vetëm armët e lehta si: kalashnikovë dhe ndonjë minahedhës apo armatim kundërajror me të cilat do të rrezikonin flotën ajrore të Forcës së Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës!
Rasti Gazmend Pula: Ishte lajm i ditës dorëheqja e ambasadorit të Kosovës në Republikën e Shqipërisë, Gazmend Pulës. Dorëheqja u arsyetua me dobësimin e gjendjes shëndetësore të tash ish ambasadorit. Presidenti i Kosovës menjëherë e pranoi këtë dorëheqje mbase për të shpëtuar shëndetin e Gazmend Pulës që është për t’u përshëndetur! Humanist dhe faktor unifikues! Duket se gjendja shëndetësore është faturë e mjaftueshme për të gjitha dorëheqjet me “ vullnet”, dështim apo diç tjetër! E patëm Qazim Qeskën, tani Gazmend Pulën! Thënë të drejtën kur e takova për herë të fundit Gazmendin në Tiranë ishte shëndosh si molla! Po duket se temperaturat e larta, edhe në Tiranë si dhe në Prishtinë kanë ndikuar në” përkeqësimin” e gjendjes shëndetësore të Gazmend Pulës! Tash po lexoj në një gazetë ditore që është shumë mirë e informuar nga burimet qeveritare se kandidat për ambasador në Shqipëri qenka Murat Jashari! Sipas kësaj gazete, Murat Jashari është kompetent dhe i pranueshëm nga të gjitha palët! Dhe, falë Zotit, me shëndet është mirë e jo i sëmurë si Qazimi dhe Gazmendi! Nëse ju kujtohet lexues të nderuar, Murat Jasharin disa qarqe e patën propozuar për Avokat të Popullit. Për ta djegur politikisht dhe kombëtarisht! Me emërimin e tij eventual për ambasador të Kosovës në Shqipëri këtyre qarqeve nuk u mbetet tjetër veçse që hirin e tij politik dhe kombëtar, të djegur në Kuvendin e Kosovës ku nuk u votua fare për Avokat të Popullit, ta shpërndajnë në Dajtin Historik të Shqipërisë europiane! Sepse, sidomos në vendet ish komuniste kur kanë dashur ta eliminojnë nga politika dikend që e kanë vlerësuar si të rrezikshëm për postet e tyre, e kanë emëruar si ambasador! Pata shkruar se Murati nuk është për Avokat të Popullit, duke i marrë parasyshë rrethanat objektive dhe kundërshtimin e ndërkombëtarëve! Muratit i mbeti hatri në mua sepse isha i sinqertë ndërsa nuk i mbeti hatri te ata që e futën në baltë dhe e lanë aty! Kështu do t’i ndodhë edhe tash, pa asnjë dyshim! Mund edhe të emërohet ambasador, po çka pastaj?! Gazeta në fjalë e goditi ulët Gazmend Pulën duke thënë se ka ardhur koha të largohen nga diplomacia bartësitë e mendësisë jugosllave! E turpshme, pa asnjë dyshim aq më parë që kur u caktua ambasador në Tiranë, Gazmendi ishte ky që është edhe sot! Atëherë askush nuk e përmendi mendësinë jugosllave! Nëse mendësia jugosllave është kriter për eliminimin nga puna apo postet, atëherë një cunami i vërtetë do ta fshinte presidencën, Zyrën e kryeministrit dhe Kuvendin e Kosovës! Mos të flas për nivelet më të ulëta të pushtetit. Madje, pikërisht eksponentët e ish Jugosllavisë janë akomoduar për mrekulli në të gjitha institucionet e Kosovës duke i përfituar të gjitha beneficionet, së bashku me antivlerat profesionale dhe ato kombëtare!
Rasti Hashim Rexhepi: Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi është arrestuar nën dyshim se ka kryer vepra penale siç është korrupsioni, shtrëngimi, shantazhimi, keqpërdorimi i pozitës zyrtare etj. Nuk dua ta paragjykoj rastin mirëpo dua t’ju rikujtoj se janë shumë personalitete të larta politike, vendore dhe ndërkombëtare që i kanë aktakuzat aktive dhe ende i mbajnë postet e tyre politike, institucionale etj. Asgjë më tepër!
Rasti Isa Mustafa: Isa Mustafa i fitoi bindshëm zgjedhjet për kryetar të Prishtinës. Mendoj se në rrethanat që i kemi është duke punuar shumë mirë! Nuk jeni të detyruar ta ndani mendimin tim! Isa Mustafa disa herë është deklaruar se koalicioni aktual qeverisës PDK- LDK është i dëmshëm për shëndetin politik dhe demokracinë në Kosovë! Gjithashtu mendoj se aktualisht nuk ka koalicion më të mirë për qeverisje sepse nuk ka alternativë! Edhe për këtë keni të drejtë të mos pajtoheni! Problemi i Isa Mustafës është se nuk po e merr përgjegjësinë që ta sfidoi Fatmir Sejdiun prandaj edhe ky qëndrimi për koalicionin po e humbë peshën specifike! Disa po thonë se Fatmir Sejdiu është lider i pakontestueshëm në LDK sikur Thaçi në PDK, Ramushi në AAK, Behgjeti në AKR apo Daci në ….ku? Nuk po më kujtohet! Aty dhe në atë subjekt ku nuk mund të kontestohet apo sfidohet lideri nuk kemi të bëjmë fare me demokraci por me mbijetesë politike apo ruajtje të interesave personale, kryesisht të antivlerave dhe atyre që e kanë të theksuar fleksibilitetin deri në përulje ndaj liderit! Andaj, Isa, ose duhet të hyjë në arenën e madhe ose të mbetet vetëm shikues dhe të bëjë tifo! Sepse, jo që do të mbetet në margjina dhe jashtë piramidës dhëheëse të LDK-së por nuk do të ketë më shanse as për kryetar të Prishtinës! Disa që kinse po e përkrahin anash (jo të gjithë) janë me shumë fytyra sepse botërisht nuk ua mbajnë ta përkrahin ndërsa prapa perdeve janë më militantë se vet Isa Mustafa! Natën i flasin Isës në vesh duke i premtuar përkrahje deri në amshim kurse ditën ia puthin dorën Fatmir Sejdiut duke thënë se ky është lideri ynë! Të thuash e pamoralshme në këtë rast, është shumë pak!
Rasti i Papa Benediktit të XVI: Më 5 shtator 2010 në Prishtinë do të përurohet Katedrala katolike politike më e madhja në Ballkan. E ndërtuar mbi themelet e gjimnazit “ Xhevdet Doda”! Tash edhe terreni përreth saj do të pastrohet nga lokalet. Së pari është përfolur se këtu, për ta përuruar Katedralen politike mund të vijë edhe vet Papa Benedikti i XVI. Ose, në mungesë të tij ndonjëri nga cardinalët e tij! Mbase ai kardinali gjerman që e mbronte Serbinë më shumë se vet Koshtunica+ Artemije! Tash po del se nuk do të vijnë, as Papa e as kardinalët! Përfaqësues i Vatikanit do të jetë shqiptar i Kosovës, më duket sekretari i Ipeshkvisë së Kosovës! Papën po e lodhkan rrugët e gjata! Kjo ishte arsyeja! Ndërsa Kosova për Papën është shumë larg, më larg se Afrika! Si shtet i pavarur as që ekziston! Si djep i Serbisë po, gjithsesi! Ky Papë, me këtë qëndrim nuk na duhet asgjë! As ky Vatikan! Që nuk e njohin shtetin e Kosovës, e përkrahin dhunën e Serbisë e cila po e pengon Kosovën në çdo mënyrë që të mos pranohet nga shtetet e ndryshme dhe të mos bëhet anëtare e OKB-së! Këtë Serbi po e përkrah Vatikani prandaj është kundër Kosovës shtet! Këtë po e bëjnë edhe shumë shtete islamike! Për turpin e tyre! Nuk jam kundër fesë katolike në asnjë mënyrë! Shqiptarët gjithmonë kanë qenë më katolikë se vet papa! Shqiptarët e kanë përkthyer Biblën nga Greqishtja në gjuhën shqipe. Shqiptarët betohen në Nënë Terezen, pa dallim feje! Shqiptarët e besimit islam ia kanë puthur Papës dorën në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe e kanë mbajtur fotografinë e Papës për vite të tëra në zyrat e tytre. Edhe këta kanë qenë myslimanë! Dhe si janë shpërblyer nga papët dhe Vatikani?! Me mosnjohje të shtetit të Kosovës dhe përkrahje të Serbisë! Papa Benedikti i XVI, apo Kardinalët e Vatikanit nuk do të vijnë në Kosovë, jo pse janë lodhur por se nuk duan të hyjnë në komplikime diplomatike me mikun e tyre, Serbinë! Në fund të fundit, Marie Shllaku, Xhon Serreçi, imzot Nikë Prela, Ambroz Uka, Mark Palokaj me tërë familjen e tij dhe shumë shqiptarë të besimit katolik të Kosovës nuk janë sakrifikuar, vrarë, masakruar, vdekur apo vuajtur për ndërtimin e Katedrales politike por për lirinë e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht besimit të tyre dhe Shqipërinë, së bashku me Kosovën! Këta unë i përkrah dhe u përkulem me respektin më të madh të mundshëm e jo grixhës politikesë Papë Benediktit të XVI-të në Kosovë!
Krejt për fund. Më pyeti një shok që nuk lexon shumë por që Zoti e ka pajisur me zgjuarësi; “allahile Behxhet, si analist që je (!!!!) më trego se çka i mungon sot Kosovës”? Si analist autodidakt që jam menjëherë u përgjigja: “Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, nepotizmit, fuqia e shtetit ligjor, hapja e vendeve të reja të punës, programe zhvillimore, arsim, shëndetësi dhe shërbime më cilësore, etj.etj.etj.” Mendova se do ta lë pa tekst. Komenti i tij ishte: “O Behxhet zeza, a përralla po më tregon a?”Kur unë e pyeta se çka pra i mungon Kosovës ai e tha vetëm një emër dhe mbiemër: AVNI RRUSTEMI! Pa koment mbeta unë!
(*) Dërguar nga autori, drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale