English

LSI: Rama e lexon së prapthi rezolutën e PE për zgjedhjet

Tiranë, 26 gusht, NOA – Interpretimi i rezolutës së Parlamentit Europian nga ana e Partisë Socialiste, si një detyrim për të hapur kutitë e votimit është një lexim i gabuar. Ky është vlerësimi që ka bërë sot në një konferencë për mediat Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

“Kam përshtypjen që në atë mënyrë se si është shfaqur lidershipi socialist, dëshmon se e ka lexuar së prapthi rezolutën dhe kërkon të përligj në fund të fundit dështimin e të gjithë aksionit politik që ajo ndërtoi mbi atë që të gjithë tashmë e njohin si transparencë e zgjedhjeve”, u shpreh Rama.

A ka theksuar se nëse rezoluta lexohet me ndjenjën e përgjegjësisë, dhe të angazhimit për të reflektuar me përgjegjshmëri, atëherë në atë “nuk ka vend për spekulim, por ka vend për angazhim real. Angazhim real do të thotë që dhe PS, të kontribuojë për të realizuar tryezën e dialogut politik pa kushte”.

Duke mbetur në çështjen e transparencës së zgjedhjeve, Rama u shpreh se transparenca e zgjedhjeve nuk bëhet nga konferencat e shtypit, por me projektin konkret.

“Është edhe njëherë e rëndësishme të theksoj që, domosdoshmërish duhet shkuar te reforma zgjedhore, tek reflektimi në draftet që e përmirësojnë tërësinë e korpusit ligjor mbi të cilat zhvillohen zgjedhjet të gjitha sensibiliteteve, prioriteteve për të cilat është folur shumë por në fakt është bërë shumë pak, ose s’është bërë asgjë deri tani”, u shpreh Rama.

Në këtë linjë, Rama u shpreh se LSI, jo vetëm është e gatshme “por ka projekte, ka draftet e saj të cilat natyrshmit, mund të jenë objekt i tryezës së reformës zgjedhore”.

Ai ka kërkuar angazhimin me seriozitet për të realizuar reformën zgjedhore që rekomandojnë OSBE/ ODIHR.

Rama u shpreh se bërja e reformës zgjedhore do të jetë dhe garancia për standardet evropiane të zgjedhjeve. “Sigurisht që këto kërkojnë angazhim real, kërkojnë kontribute reale dhe nuk mund të zgjidhen nga konferencat e shtypit”, tha ai.

a.k/NOA

KOMENTE