Institucionet afgane duhet të forcohen. Programet duhet të auditohen. Ndërsa, udhëheqësit në Afganistan duhet të jenë më të interesuar për qeverisje të mirë në çdo nivel të pushtetit
Editorial i “New Jork Times” Nuk iu desh shumë kohë presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, që t’i harrojë premtimet e fundit të tij kundër korrupsionit. Në qershor, ai u zotua se “do të hiqen të gjitha pengesat” për t’i përndjekur shkelësit. Pastaj, dy agjenci antikorrupsioni në Kabul, arrestuan dhjetëra të dyshuar, përfshirë një bashkëpunëtor të ngushtë të Karzait. Tash, z. Karzai është bërë një nga pengesat më të mëdha. Muajin e kaluar, ai anuloi vendimet e agjencive, përfshirë atë të prokurorit të përgjithshëm afgan dhe urdhëroi lirimin e bashkëpunëtorit të tij. Të dielën, Karzai i akuzoi agjencitë se i kanë shkelur të drejtat e njeriut dhe ligjet afgane dhe tha se ato kontrollohen nga të huajt. Zëdhënësi i tij njoftoi se presidenti së shpejti do të përcaktojë rregulla të reja për t’i kufizuar kompetencat e agjencive. Ky do të ishte kthim i madh prapa për kredibilitetin e brendshëm të Karzait, edhe për strategjinë amerikane në Afganistan, e cila ka nevojë për një partner me kredibilitet minimal. Të enjten u raportua se bashkëpunëtori i Karzait, Mohamed Zia Salehi, është agjent i paguar i CIA-s, gjë që flet për një situatë të ndërlikuar. Nga fundi i korrikut, Salehi, këshilltari kryesor për siguri i Karzait, ishte arrestuar pas ishte akuzuar se kishte dhënë ryshfet për të ndihmuar që të bllokohen hetimet ndaj një kompanie financiare në Kabul, e cila dyshohet se ka ndihmuar transferimin e miliarda dollarëve nga Afganistani. Zëdhënësi i Karzait gjithashtu është përpjekur t’i fajësojë amerikanët, duke thënë se ndihmat e huaja kanë krijuar “një mafia ekonomike” në Afganistan. Ka pak kontroll se ku përfundojnë të gjitha ato para që qarkullojnë rreth Afganistanit, madje edhe për paratë amerikane. Por, veprimet e z. Karzai lënë të kuptohet se ai nuk ka dëshirë për t’i pastruar punët. Procedurat kontraktuese të qeverive afgane dhe amerikane duhet të bëhen më transparente. Institucionet afgane duhet të forcohen. Programet duhet të auditohen. Ndërsa, udhëheqësit në Afganistan duhet të jenë më të interesuar për qeverisje të mirë në çdo nivel të pushtetit. Për këtë do të duhet kohë. Kjo nuk mund të ndodhë nëse z. Karzai këmbëngul që t’i mohoj,ë apo t’i mbulojë veprimet e disa aleatëve të tij më të ngushtë dhe anëtarë të familjes së tij. Presidenti afgan duhet të jetë i kujdesshëm. Amerikanët shumë shpejt e humbin durimin, ndërsa Kongresi po kërcënohet t’i ndalë ndihmat. Ç’është më e rëndësishmja, edhe vetë afganët e shohin qeverinë e tyre si të korruptuar, tek e cila s’mund të mbështetesh. Nëse kjo nuk ndryshon, atëherë do të ketë fare pak shpresë për t’i zmbrapsur talibanët.