Tiranë, 26 Gusht 2010 NOA - PS ka vazhduar të kërkojë sqarim publik nga kryeministri, duke folur për ato që i cilëson afera korruptive, të bëra me firmën e Berishës.
Olta Xhaçka, deputete e PS, vlerësoi në një dalje për mediat para pak minutash se “nuk janë çudira që zgjasin vetëm tre ditë, por përkundrazi, çdo tre ditë del në pah një aferë e re korruptive”.
Deputetja Olta Xhaçka në deklaratën e saj për mediat ngriti pikëpyetje mbi rolin e motrës tjetër Vokshi, e cila ka pasur pozicion të rëndësishëm në Ministrinë që i ka dhënë Albana Vokshit 6 HEC-e me koncension.
Më tej Olta Xhaçka tha: “Tani që për të gjithë është e qartë se vetëm në lumin Kardhiq, çifti Albana Vokshi dhe Arjan Tartari kanë përfituar jo një, por plot gjashtë hidrocentrale; Tani që këtë të vërtetë të provuar me fakte u detyrua ta pranonte publikisht dje Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, duke përgënjeshtruar deputeten Albana Vokshi, dy pyetje të reja ngrihen përpara opinionit publik shqiptar”.
Pyetjet e zinjsh. Olta Xhaçka ishin: “Së pari, përveç Albana Vokshit që në kohën kur Kryeministri firmoste koncesionet ishte funksionare në kabinetin e Sali Berishës, cili është roli i motrës tjetër Vokshi, Mimozës, e cila kur Arjan Tartari dhe Albana Vokshi merrnin 6 hidrocentrale, punonte si drejtoreshë e privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë, që ka ushqyer me kaq shumë bukë lepurushi Arjan Tartarin dhe Albana Vokshin? Së dyti, si e shpjegon Sali Berisha faktin se nga gjithçka që i quan investime të mëdha, dalin në fakt lepujt e mëdhenj të korrupsionit qeveritar në dëm të ekonomisë shqiptare, dalin në pah emra personazhesh të lidhur ngushtësisht me familjen në pushtet dhe pushtetin e familjes?”.
Më tej kanë vijuar dhe komentet e deputetes më të re të opozitës: “Sali Berisha bën ç’bën dhe hesht. Ndoshta mendon se çdo çudi në Shqipëri zgjat vetëm tre ditë, por çudia e korrupsionit të dirigjuar prej tij është se çdo tre ditë na shfaqet një çudi e re. Megjithatë, flet apo s'flet Sali Berisha, shqiptarët po e kuptojnë se ferra ku fshihet dhe ushqehet lepuri i korrupsionit është vetë Sali Berisha”.
Ndërkohë, - vijoi Xhaçka, - ne do të vazhdojmë me publikime të reja të provave dhe fakteve të këtij korrupsioni shkatërrues, i cili nuk fshihet dot as me heshtjen e Kryeministrit dhe që nuk mbulohet dot nga balta e neveritshme e shpifjeve bajate të kësaj qeverie.
e.r/NOA