Shihni foton me rezolucion më të lartë
Tiranë, 26 Gusht 2010 NOA - Interpol Tirana ekstradon nga Gjermania të kërkuarin për “shfrytëzim prostitucioni” Dritan Domi. Ekstradimi i tij u bë sot rreth orës 15.30, pasi i riu durrsak ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Nga Frankfurti, Gjermani, u krye ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Dritan Maksut Domi, 35 vjeç, lindur në Maminas, Durrës”, - konfirmoi për agjencinë NOA, Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.
Domi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr. 310, datë 14.05.2004, e ka dënuar me 11 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit“, parashikuar nga neni 114/a, pikat 1, 4, 5 dhe 6, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
I ekstraduari Dritan Domi, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka mashtruar shtetasen A. D., me qëllim dërgimin në Itali dhe shfrytëzimin e saj si prostitutë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden më datën 3 maj 2010, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i 35-vjeçarit Dritan Domi.
e.r/NOA