Shkup, 27 gusht, NOA - Kryeministri Nikolla Gruevski vlerëson se ka ardhur momenti të gjendet zgjidhje për problemin me emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë.
"Vlerësoj se është koha e fundit të zgjidhet problemi me emrin, por ende mendoj se kërkesat e Greqisë janë maksimaliste", tha kryeministri Gruevski, duke folur sot për mediat.
I pyetur nëse në Nju-Jork do të ketë takim me kryeministrin grek Jorgos Papandreu, kryeministri Gruevski tha se në këtë moment nuk ka caktuar kurrëfarë takimi me Papandreun, për të cilin shkak nuk mund të thotë se do të takohen në Nju-Jork.
Në pyetjen nëse ambasadori i ri në NATO, Martin Trenevski seriozisht mund t'i përgjigjet detyrimeve të reja, kryeministri Gruevski tha se Trenevski është njeri, i cili lufton dhe do të luftojë që Maqedonia të bëhet anëtare e plotëfuqishme e NATO-s.
"Ambasadori Trenevski dha intervistë, ku i qartësoi qëndrimet e tij, për të cilat gjatë fjalimit të tij të parë para Kuvendit ekzistonin disa paqartësi të caktuara. Ai i qartësoi dhe vlerësoj se në atë intervistë nuk ka asgjë të paqartë.
NOA/INA