English

Kreu i shtetit jep Medaljen e Artë të Pavarësisë për Prof. Isa Demajn

Prishtinë, 27 Gusht 2010 NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dekoroi sot me Medaljen e Artë të Pavarësisë Prof. Isa Demajn, për kontribut të veçantë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Vendimin për dekorim Presidenti Sejdiu tha se e mori në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 84, pika 28, si dhe në bazë të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës, Neni 3, 7 dhe 34.

“Kontributi i atdhetarit dhe intelektualit Isa Demaj në luftën për lirinë, pavarësinë dhe identitetin arsimor, kultural e nacional të shqiptarëve dhe të Kosovës, është i veçantë. Gjithë jetën e tij si nxënës, student dhe profesor, dhe si i burgosur politik, ai e ndërlidhi përkushtimin intelektual me sakrificën për atdheun duke u bërë shembull i atdhetarit të paepur. Shembulli i tij u bë një frymëzim i mësimdhënësit, humanistit dhe personalitetit të veçantë për breza të tërë”, - thuhet në argumentimin e dekoratës.

“Vepra dhe personaliteti i prof. Isa Demajt do të mbeten frymëzim i përhershëm i atdhedashurisë dhe veprimit intelektual për të gjithë brezat që do të vijnë”, thuhet në arsyetimin e dekorimit të Prof. Isa Demajt.

a.b/NOA

KOMENTE