Rexhepi priti në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, gjeneralin Markus Bentler
Prishtinë, 27 gusht 2010 NOA - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi priti në një takim gjeneralin Markus Bentler me rastin e përfundimit të mandatit të tij si komandant i KFOR-it. Fillimisht, të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan gjendjen e sigurisë të qetë dhe stabile me trend të përmirësimit të vazhdueshëm.
Por Ministri Rexhepi shfrytëzoi rastin të falënderojë gjeneralin Bentler për përkushtimin dhe partneritetin e dëshmuar gjatë mandatit të tij, duke shprehur besimin se si rezultat i këtij bashkëpunimi siguria në vend është përmirësuar dukshëm.
Ministri Rexhepi konfirmoi gatishmërinë për vazhdimin e marrjes së përgjegjësive nga ana e Policisë së Kosovës, duke shprehur bindjen se tashmë janë ngritur kapacitetet e nevojshme për ushtrimin e të gjitha përgjegjësive kushtetuese.
Në anën tjetër, gjenerali Bentler theksoi se reduktimi i trupave të KFOR-it dhe bartja e përgjegjësive tek Policia e Kosovës për ruajtjen e objekteve të Trashëgimisë Kulturore dhe kontrollin e vijës së gjelbër të kufirit është dëshmia më e mirë se Policia e Kosovës është e aftë dhe ka kapacitete për ushtrimin e përgjegjësive që i takojnë dhe të vazhdohet me këtë qasje profesionale edhe me pasardhësin e tij në krye të KFOR-it.
a.b/NOA