Tiranë, 27 Gusht 2010 NOA - Lëvizja Socialiste për Integrim e cila me 3-4 deputetë të saj arriti të merrte rol kyç në mazhorancën qeverisëse dhe për rrjedhojë poste të mira në qeveri dhe 20 për qind të posteve në të gjithë administratën shtetërore, tentoi sot të “shesë” se ka shumë emra dhe mundësi për të fituar bashkinë e Tiranës.
Ndërkohë që lufta për të marrë kreun e metropolit, qartësisht bëhet nga Partia Socialiste dhe ajo Demokratike që kanë mbi 80-90 për qind të elektoratit, sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, tha sot për mediat se janë identifikuar kandidatët e mundshëm për bashkinë e Tiranës.
Rama theksoi se LSi ka shumë emra që janë gati për të shkuar në tryeza e konsultës paraelektorale, me emra konkretë, me program konkret dhe të detajuar.
Pikërisht këtu ka mbërritur dhe “siguria” e partisë së majtë që iu bashkëngjit mazhorancës së djathtë, kur z.Rama shpalli qëllimin për të fituar kreun e bashkisë së kryeqytetit: “Ne kemi një mori emrash që janë alternativa të njëri-tjetrit, për të shkuar te tryeza e konsultës paraelektorale, me emra konkretë, me program konkret dhe të detajuar sipas çdo njësie ku do të zhvillohen zgjedhjet dhe natyrisht me atë çfarë është në fund të fundit platforma jonë që na çon në fitoren e zgjedhjeve”.
Gjithsesi, z.Rama ka lënë një hapësirë edhe për aleatët siç tha, pasi “ne jemi të hapur që me aleatë tanë, të shqyrtojmë dhe të konkludojmë për emrin më të mirë, në bashkinë e Tiranës, në çdo bashki dhe në çdo komunë tjetër të vendit”.
e.r/NOA