Tiranë, 27 Gusht 2010 NOA – Në një reagim ndaj deklaratës së deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, ministrja e Integrimit dhe zëdhënëse e Qeverisë, doli sot para mediave ku dha përgjigje për pyetjet e opozitës mbi afera të dyshuara korruptive.
“Jam këtu për t’iu përgjigjur pyetjeve tip hetuesie të dikurshme të procesverbalit të lexuar pak më parë nga prokurorja socialiste Fela”, - tha Bregu plot doza ironie në daljen e saj publike.
Kurse vijoi me përgjigjet e pyetjeve si më poshtë:
“Po, bashkëshorti im prej 15 vjetësh quhet Namik Ajazi dhe kjo nuk besoj se bën lajm përveçse ndoshta për Felën, e cila jo për faj të saj, nuk i njeh të gjitha familjet në Tiranë.
Po, bashkëshorti im ka një vëlla të vetëm dhe ai quhet Hektor Ajazi, nuk kemi jetuar ndonjëherë në të njëjtën shtëpi, pasi ai ka familjen e tij që prej vitit 1992 dhe ushtron biznesin e tij që prej vitit 2002, i regjistruar në regjistrin tregtar si biznes VIP në 2005, para se unë të hyja në politikë.
Jo, shoqja prokurore Fela, bashkëshorti im nuk ka, s’ka pasur dhe të paktën deri tani, nuk ka ndërmend të përfshihet në ndonjë aktivitet apo biznes në fushën e energjetikës.
Jo, kunati im Hektor Ajazi nuk është pronar i ndonjë kompanie energjetike. E vërteta është se gëzon 15% të aksioneve për ndërtimin e një HEC-i së bashku me 6 shoqëri të tjera dhe 7 partnerë të rëndësishëm kombëtarë të lidhur së bashku në një Consorcium”.
Këtu Bregu theksoi se “kaq është informacioni që munda të marr nga kunati im nëpërmjet telefonit, pasi për të qenë krejtësisht e sinqertë me ju dhe partinë tuaj, është në jug të vendit duke u marrë me punët e tij”.
Kurse shtoi se është e gatshme “t’ju përgjigjem përsëri shoqja prokurore, sapo ju të vërtetoni që kunati im ka përfituar në mënyrë jo ligjore nën emrin tim ndonjë kontratë koncesionare apo ka shkelur ndonjë ligj ose rregull të shtetit shqiptar”.
Gjithsesi Bregu sqaroi se as Kushtetuta dhe as ligji shqiptar nuk ndalojnë ndonjë biznesmen apo grup biznesmenësh që të investojnë për të zhvilluar një biznes, aq më tepër në energjetikë, një nga fushat më prioritare për zhvillimin e vendit. Për më tepër, me paratë e tyre dhe jo duke përfituar nga fonde shtetërore.
“Shoqja prokurore, pyetjet e tua dhe të forcës tënde politike me mentalitet vrastar ndaj biznesit vendas, në formatin e hetuesisë standarde të diktaturës, nuk mund të më trembin as mua, as familjen time, as të cënojnë mbiemrin e fëmijëve të mi, sepse këtë lloj hetuesie që kërkon ta bësh në fundverën e 2010, familja Ajazi e ka provuar prej 3 brezash në kohën e paraardhësve të tu politikë”, - përfundoi zonja Bregu.
e.r/NOA