Kore e Veriut, 27 Gusht NOA - Sukses i madh diplomatik për ish-presidentin e SHBA-së Jimmy Carter, që ka fituar lirinë e qytetarit amerikan Aijalon Mahli Gomes, i arrestuar në Korenë e Veriut nga muaji janar dhe kjo me akuzën e futjes së paligjshme në territorin e vendit.
Carter, në një vizitë në Pyongyang, është nisur për në SHBA duke marrë me vete dhe Gomes. Ndërkohë qeveria e Koresë së Veriut ka vendosur të rifillojë bisedimet në lidhje me çarmatimin bërthamor.
Aijalon Mahli Gomes ishte dënuar me tetë vite punë të detyruar nga autoritetet e Pyongyang dhe kjo pasi kishte kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin në vend, duke ardhur nga Kina. Gomes është një ish-profesor i anglishtes me moshë 30 vjeçare dhe njihet për besimin e tij të krishterë. Sipas agjencisë “Kina e Re”, konfirmimi i lirisë së tij erdhi nga numri dy i Koresë së Veriut Kim Yong-nam. Qëllimi i këtij vendi është rifillimi i marrëdhënieve me Korenë e Jugut, Kinën, SHBA-në, Japoninë dhe Rusinë, në lidhje me çarmatimin bërthamor në gadishull.
“Marrëdhëniet tona do të rifillojnë me lirinë e Aijalon Mahli Gomes dhe jemi shumë të lehtësuar që ai do të bashkohet sërish me familjen e tij”, - bëri të ditur zëdhënësi i departamentit të shtetit Philip Crowley, nëpërmjet një komunikate.
r.b/NOA