English

Ministri i Integrimeve Evropiane shkon në Mitrovicë, trajtohen problematikat

Behlul Beqaj, tha se komuna e Mitrovicës është një ndër komunat më të avancuara në fushën e përgatitjeve në drejtim të integrimeve evropiane

Mitrovicë, 28 gusht 2010 NOA - Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, në një takim që ka patur në ambientet e Kuvendit të Komunës me ministrin për integrime evropiane, Besim Beqaj, që shoqërohej nga zëvendësministri Arban Abrashi, ka thënë se Mitrovica është një ndër komunat që ka më së shumti probleme të natyrave të ndryshme, por që mbizotërojnë ato sociale dhe në veçanti problemet e banimit të familjeve, për shkak të lëvizjeve që ka pas në këtë qytet gjatë luftës.

Kryetari ka thënë se komuna dhe institucionet e saj po bëjnë përpjekje që të zgjidhen këto probleme në bazë të prioriteteve duke mos lënë anash as obligimet e tjera që ka komuna ndaj institucioneve më të larta të vendit, duke përfshi këtu edhe obligimet dhe detyrat e komunës në procesin e integrimit.

Po ashtu, Kastrati e ka informuar ministrin Beqaj edhe për aktivitetet e komunës në reformimin e pushtetit lokal, që është ndër prioritetet edhe të procesit të integrimit evropian.

Ministri Besim Beqaj, tha se Ministria që ai drejton po bënë përpjekje për përmbushjen e obligimeve që parashtrohen para saj, e në veçanti ato që kanë të bëjnë me proceset e integrimeve evropiane, proces ky që sipas tij duhet të jetë mirë i koordinuar dhe harmonizuar me prioritetet qendrore dhe ato lokale.

Ai tha se komunat kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, andaj është duhet të kenë prioritet ndërtimin e kapaciteteve për reformimin e administratës publike, në ç’drejtim ato do të përkrahen nga institucionet më të larta, në mënyrë që qytetarët të jenë përfitues dhe të shohin se proceset e ndryshimeve dhe integrimeve do të krijojnë ambient më të mirë për punë dhe për shërbime.

Ministri Beqaj tha po ashtu se komuna e Mitrovicës është një ndër komunat më të avancuara në fushën e përgatitjeve në këtë drejtim.

Në vazhdim të fjalës së tij, ministri Beqaj, tha se vizita e tij nëpër komuna ka për qëllim nxitjen e ngritjes së kapaciteteve të zyrave komunale për integrim dhe se Ministria e tij është e gatshme dhe mund të ndihmoj për ngritjen e kapaciteteve nëpër komuna, prandaj është i domosdoshëm organizimi më i mirë dhe avancimi i këtyre zyrave, gjë që do të ndodh pas konsultimeve me kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës.

Lidhur me këtë, ai tha se kuadrot që punojnë nëpër zyrat për integrime evropiane nëpër komuna, duhet të jenë njohës të mirë të reformave të administratës dhe pushtetit lokal dhe se ata duhet të merren vetëm me çështjet e integrimit dhe reformave, e jo siç ka ndodh deri tash në shumë komuna, të kryejnë shumë punë të tjera e më së paku ato për çka janë punësuar.

a.b/NOA

KOMENTE