Durrës, 27 gusht, NOA – Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë një aksion tjetër në zonën bregdetare të qytetit të Durrësit,në vazhdimësi të atij të nisur pak ditë më parë, për të prishur tubacionet e ujrave të zeza që derdhen në det.
Korrespodenti i Agjencisë NOA në Durrës raporton se aksioni po zhvillohet në zonën e Golemit në Durrës, ku dy fadroma të policisë kanë nisur punën për prishjen e disa kanalizimeve. Punonjësit e Ministrisë së Mjedisit, së bashku me autoritetet vendore, pas kontrollit të dokumentacionit, marrin masat përkatëse duke vendosur gjobë dhe duke prishur objektet, në rastet ku dokumentet nuk janë të rregullta.
Pak ditë më parë strukturat e Ministrisë së Mjedisit zhvilluan një tjetër aksion në zonën e Shkëmbit të Kavajas, Golemit dhe Malin e Robit.
Këto zona janë cilësuar edhe nga Inspektorati i Shëndetit Publik, si mjaft të ndotura, për shkak të derdhjes së ujërave të zeza në det dhe mos krijimit të kolektorëve nga bizneset e shumta në këto zona.
Në përfundim të aksionit të tre ditëve më parë u hoqën tre tubacioneve të përmasave shumë të mëdha në zonën e plazhit “Belvedere”, pranë Shkëmbit të Kavajës, pas shinave të trenit, një tubacion që mblidhte ujërat e zeza të gjithë zonës dhe ndërtimeve të ngritura përreth.
a.k/NOA