Sekuestrohen një armë zjarri “Kallashnikov”, një armë gjahu, një thikë e përmasave të mëdha, dy karikatore me fishekë dhe një numër gëzhojash. Dëshmitë e panikut
TE GJITHA FOTOT, TE GALERIA
Libohovë, 27 Gusht 2010 NOA - Minuta terrori kanë përjetuar banorët në Libohovë nga një njeri i armatosur i cili nuk reshti së qëlluari me plumba duke përfshirë në panik qytetin.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë dita e sotme dhe i dyshuari para pak orësh është arrestuar, raporton korrespondentja e agjencisë NOA.
I arrestuari është 26-vjeçari Ilia Havo që dalloni në foto, lindur dhe banues në Libohovë dhe pas kapjes së tij, armatim luftarak iu sekuestrua nga kontrollet e ushtruara në banesë, vendngjarje dhe zonën përreth.
Policia i tha zyrtarisht agjencisë NOA se Havo u arrestua pasi dyshohet se në gjendje të dehur ka terrorizuar banorët e qytetit Libohovë me të shtëna në ajër me një armë automatike që e mbante pa leje.
Dëshmitarët treguan se mbrëmë rreth orës 22.00, në qytetin e Libohovës, në lagjen “Teqeja e Mëhallës”, një shtetas në rrethana të paqarta terrorizoi banorët duke gjuajtur në ajër me një armë automatike Kallashnikov.
Nisur nga gjendja e krijuar, në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ka ardhur një telefonatë që denonconte situatën.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur forca të shumta të Policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut si dhe Grupi hetimor.
Ata konstatuan se në lagjen “Teqeja e Mëhallës”, një djalë i ri në gjendje të dehur gjuante në ajër në drejtime të ndryshme për rreth 30 minuta me një armë zjarri automatike “Kallashnikov”.
Por me të mbërritur forcat policore ai ia ka mbathur. Nga ana e Grupit hetimor është bërë fiksimi i gëzhojave në vendngjarje dhe është marrë informacion në lidhje me autorin .
Specialistët për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë marrë informacion në rrugë operative për autorin, ku për shkak të errësirës nuk është bërë e mundur kapja e tij gjatë natës, pasi ishte larguar nga banesa e tij.
Gjatë ditës së sotme, Specialistët për Parandalimit dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë bërë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin e autorit të kësaj ngjarjeje, Ilia Havo, lindur dhe banues në Libohovë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi është gjetur një armë gjahu pa leje, si dhe në automjetin e tij tip Benz me targa Greke është gjetur dhe sekuestruar një armë e ftohtë thikë, e përmasave të mëdha që shihni dhe në fotot.
Ndërsa arma e zjarrit me të cilën autori kishte gjuajtur në ajër nuk u gjend në banesë.
Por pas një pune të mirëfilltë profesionale dhe hetimore rreth mesditës së sotme u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit Kallashnikov së bashku me dy karikatorë, të cilën e kishte fshehur në një zgavër guri rreth 50 metra larg shtëpisë së tij.
Policia tha se u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së zjarrit tip kallashnikov, i gëzhojave, i armës së gjahut, dhe i thikës.
Kurse u bë arrestimi i të riut për veprat penale të “Prishjes së rendit dhe qetësisë publike”, si dhe të “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake” “të armëve të ftohta” dhe të armëve të gjahut” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
v.d/e.r/NOA