English

Ndërtimet pa leje në Kosovë, nis procesi i legalizimit më 1 shtator, afatet

Kërkesat për përfshirje në regjistrin e ndërtimeve pa leje paraqiten nga data 1 shtator 2010 deri më 31 tetor 2010. Të gjitha detajet

Prishtinë, 28 Gusht 2010 NOA - Komuna e Prishtinës ka informuar se të gjithë investitorët (qytetarët dhe bizneset) e përfshirë në ndërtime pa leje brenda territorit të Komunës së Prishtinës, mund të aplikojnë për proces legalizimi.

Korrespondenti i agjencisë NOA citon se kërkesat për përfshirje në regjistrin e ndërtimeve pa leje do të paraqiten nga data 1 shtator 2010 deri më 31 tetor 2010.

Kjo nismë vjen duke u bazuar në nenin 6.2 të Rregullores për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje nr. 01-35-15-1449 dt. 23.07.2009,

Kërkesat kanë të drejt t’i paraqesin vetëm ata që janë përfshire në imazhin satelitor të datës 19 gusht 2010, ora 10:30. Incizimin (imazhin) satelitor të gjendjes faktike të objekteve të ndërtuara pa leje Komuna e Prishtinës e ka bërë me datën 19.08.2010, në ora 10:30.

Komuna e Prishtinës detajon se çdo ndërtesë apo pjesë e saj e ndërtuar pas datës 19 gusht 2010 dhe që nuk figuron në imazhin satelitor të kësaj ditë nuk do të mund t’i nënshtrohet procedurës se legalizimit.

Kërkesat për trajtimin e ndërtimeve pa leje dorëzohen në Zyrën Pritëse të Komunës së Prishtinës, zyra nr. 7, rr. “ UÇK”nr.2. Formularët e kërkesave për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje mund të tërhiqen në Zyrën Pritëse apo në ueb faqen Komunës së Prishtinës www.prishtina-komuna.org.

Bashkia e Prishtinës siguron se secili ndërtim pa leje pas kësaj date, do të trajtohet konform me dispozitat e Ligjit për Ndërtim nr. 2004/37 dhe akteve tjera nënligjore të nxjerra në bazë të këtij Ligji përkatësisht, ato ndërtime do të rrënohen.

a.b/NOA

KOMENTE