English

Ndryshimi, Matura Shtetërore do të jetë provim pranues për regjistrim në fakultet

Rreth 11500 nxënës u testuan në Provimin e Maturës Shtetërore 2010 – afatit të gushtit

Prishtinë, 27 Gusht 2010 NOA - "Në vitin 2012 Matura Shtetërore do të jetë provim pranues për regjistrim në fakultet. Pra nuk do të ketë provime pranuese në fakultetet tona, përveç në fakultetin e mjekësisë dhe atë të arteve. Nxënësit do të kenë përparësi regjistrimi sipas suksesit të dëshmuar në "Maturën Shtetërore" në lëndët përkatëse, varësisht se ku dëshirojnë të regjistrohen", tha Ministri Hoxhaj me rastin e vizitës që u bëri maturantëve gjatë testit në qendrën shkollore "28 Nëntori" në Prishtinë.

Në 29 komuna te Republikës së Kosovës, është organizuar provimi "Matura Shtetërore 2010" - afatit të gushtit. Këtij testi ju kanë nënshtruar 11530 nxënës të shpërndarë në 54 qendra shkollore. Kalueshmëria është 50% nga pyetjet, ndërsa rezultatet pritet të shpallen me datë 7 shtator 2010.

Me rastin e mbajtjes së provimit të maturës, Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj dhe Kryetari i KQSHM-së Nehat Mustafa, kanë vizituar qendrën shkollore "28 Nëntori" në Prishtinë.

Ministri Hoxhaj ka uruar nxënësit për sukses të mirë dhe mori opinionet e tyre rreth asaj se sa është i përballueshëm ky test, për të sqaruar se pyetësori përbën materien lëndore të mësuar gjatë viteve të shkollimit paraprak dhe se "kjo është një sfidë të cilën ju duhet ta përballoni pa vështirësi", ka thënë Hoxhaj.

Në konferencën për media, enkas për këtë ngjarje, Hoxhaj ndër tjera tha se, "MASHT dhe KQSHM kanë bërë përgatitjet e duhura që kjo ngjarje të administrohet me sukses. Provimi po mbahet në 29 komuna të Republikës së Kosovës, në 54 qendra shkollore dhe se 2000 administrues dhe vëzhgues po kujdesen për mbarëvajtjen e tij".

Në vazhdim Ministri bëri të ditur se "viti 2012 do të jetë vit kur Matura Shtetërore do të jetë provim pranues për regjistrim në fakultet.

Pra nuk do të ketë provime pranuese në fakultetet tona, do të ketë" numerus klauzus", pra çdo kush që e kryen maturën shtetërore, Universitetet Publike kanë për obligim të ju sigurojnë vende të reja të studimit.

“Ne kemi një grup ekspertësh të Bankës Botërore të çilet po bëjnë një analizë të detajuar të "Maturës Shtetërore", do të rishikojmë ligjin për maturën”, - tha ministri.

Ndërsa çështje që ka mbetur të diskutohet dhe që do ta shtrojë në Kuvendin e Kosovës është se duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë me ata që dëshirojnë të konkurrojnë në fakultet të arteve dhe atë të mjekësisë.

Me fjalë tjera në mjekësi dhe arte do të ketë provim pranues ndërsa në fakultetet tjera jo. Nxënësit do të kenë përparësi regjistrimi sipas suksesit në lëndët përkatëse varësisht se ku dëshirojnë të regjistrohen ka thënë ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve rreth testit të matematikës, pastaj rreth kërkesës së SBASHK-ut për rritjen e pagave, për çka tha se "në bisedë me përfaqësuesit e SBASHK-ut kam sqaruar se kjo nuk është e mundur brenda këtij viti buxhetor dhe u kam sqaruar se kjo do të ndodhë vitin e ardhshëm buxhetor".

Sa i përket shpërndarjes së teksteve shkollore, Ministri tha se edhe sivjet nxënësit do të marrin tekste falas porse një pjesë e këtyre teksteve janë të ruajtura nga viti i kaluar.

Ndërkaq sa i përket braktisjes së shkollimit dhe statistikave rreth kësaj çështje, Ministri tha s e janë shumë faktor që e determinojnë këtë dukuri. Aktualisht nuk mund të themi statistikat sakta pasi që nuk e kemi bërë ende regjistrimin e popullatës porse ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që ta rrisim pjesëmarrjen e të rinjve në Arsimin e Lartë. Kuptohet se kjo ka të bëjë edhe me çështje të hapësirës.

Ju tashmë e dini se në tetor të këtij viti do të kemi edhe Universitetin e Prizrenit. Përpjekjet ton a do të shkojnë në drejtim që vitin e ardhshëm çdo maturant që kanë kaluar testin e maturës, përveç në drejtimet mjekësi dhe arte të pranohen pa provim pranues në Universitetet tona Publike. Hapësirë dhe kuadro ka në Kosovë. Fundja është e drejtë bazike e të rinjve për mundësi studimi tha ndër tjera ministri Hoxhaj.

a.b/NOA

KOMENTE