English

Presidenti dorëzon kërkesën në Gjykatën Kushtetuese

Prishtinë, 27 Gusht 2010 NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu paraqiti pasditen e sotme kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar rastin e kryetarit të komunës së Rahovecit, Qazim Qeska, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Zyrtarisht Presidenca e konfirmoi lajmin dhe pohoi se “në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese të parapara në Nenin 113(3)(1), Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, sot paraqiti kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nga e cila kërkoi një sqarim të mirëfilltë për paqartësinë e lindur rreth rastit të Kryetarit të Komunës së Rahovecit, z. Qazim Qeska.

Paqartësia në fjalë ka të bëjë me institucionin përgjegjës i cili konstaton efektshmërinë dhe validitetin e dorëheqjes, në rast kur ajo është e paqartë dhe në formë të një deklarate publike, dhe përfundimin eventual të mandatit të një kryetari të komunës në bazë të një deklarate publike, me qëllim që Presidenti të vendosë për shpalljen e zgjedhjeve dhe të veprojë në përputhje me parimin kushtetues për zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Dilema kushtetuese në fjalë ka parandaluar çfarëdo veprimi të Presidentit, prandaj, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e këtij rasti, si dhe nevojën e zgjidhjes së shpejtë të kësaj dileme kushtetuese për funksionimin e mirë të Komunës së Rahovecit, Presidenti Sejdiu kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që ky sqarim të jepet sa më parë që është e mundur, gjë që do t’u mundësonte institucioneve gjegjëse të procedojnë lidhur me këtë çështje.

a.b/NOA

KOMENTE