English

Pretendime serbe për PTK-në

Autoritetet kosovare e vlerësojnë përpjekje të destinuar të dështojë, veprimin e Telekomit Serb, i cili u bën thirrje blerësve potencialë që të mos blejnë asetet e Postës dhe Telekomit të Kosovës

Prishtinë, 27 Gusht 2010 - Një ditë më parë, në gazetën prestigjioze Financial Times, Telekomi i Serbisë i ka paralajmëruar të gjithë blerësit e mundshëm të PTK-së që të mos e bëjnë këtë, pasi, siç thuhet, bëhet fjalë për “pronë të rrëmbyer” të firmës serbe.

Kryeshefi ekzekutiv i Postë Telekomit të Kosovës, Shyqeri Haxha thotë se paralajmërimi i Telekomit serb nuk do të ndikojë në privatizimin e kompanisë kosovare. “Ata mundohen t’i frikësojnë investitorët potencialë, mirëpo këto janë tentime të vazhdueshme të Serbisë që çdo gjë që ka të bëjë me jetësimin e shtetit të Kosovës ata e pengojnë, i përdorin forcat e fundit. Juridikisht nuk kanë asnjë të drejtë, por këto janë përpjekje të tyre që t’ia ulin vlerën kompanisë”, tha Haxha. Telekomi i Serbisë ka paralajmëruar të gjithë investitorët se me mjete juridike do të luftojë kundër atyre që vendosin ta blejnë aksionet e PTK-së. Drejtori i Përgjithshëm i Telekomit të Serbisë, Branko Radujko ka thënë për mediat serbe se kjo kompani ka qenë e detyruar të reagojë në këtë mënyrë pas njoftimit për shitjen e PTK-së. "Ky është reaksion i kompanisë, i biznesit, pa ndonjë ndikim politik. Gjërat janë të thjeshta, dikush paralajmëron se do të shesë diçka, e ne besojmë se në atë që po shitet ka diçka, që është pronë e jona. Pasi që nuk kemi mënyra se si të ndikojmë në shitje, ne iu kemi drejtuar blerësve potencialë dhe u kemi tërhequr vërejtjen”, ka thënë Radujko, i cituar sot nga radio Evropa e Lirë. Por, kundër këtij veprimi të Telekomit të Serbisë ka reaguar misioni i OKB-së në Kosovë, i cili edhe e ka themeluar PTK-në që në vitin 1999. “PTK-ja në territorin e Kosovës është themeluar nga UNMIK-u dhe i është dhënë autoriteti nën rregulloren e UNMIK-ut 1999/12 të 14 tetorit të vitit 1999, për të ofruar shërbime postare dhe të telekomunikimit në territorin e Kosovës. Themelimi i PTK-së si ofrues i shërbimeve postare dhe telekomunikimit në Kosovës është bërë në përputhje me mandatin e UNMIK-ut nën rezolutën 12 44 të KS-së të OKB-së dhe PTK-ja qe autorizuar që të përdorë të gjitha pajisjet dhe instalimet telekomunikuese publike në Kosovë”, tha zyrtari për informim në këtë mision Xhakob Kuin. Ai nuk ka sqaruar nëse qeveria e Kosovës ka të drejtë të shesë kompaninë publike. Në anën tjetër, eksperti i telekomunikacionit, dikur udhëheqës në PTK, Agron Dida, thotë se veprimi i Telekomit të Serbisë do të ketë ndikim negativ te investitorët potencialë. “Kjo çështje përsëritet edhe me asetet e pronave tjera të Kosovës, të gjitha janë të kontestuara nga Serbia. Por, kjo është cështje e së drejtës pronësore të Kosovës, pas sjelljes së rezolutës 12 44 dhe shpalljes së pavarësisë- këto dyja kanë implikim edhe në çështjen e pronësisë, që trashëgohet në Kosovë". "Fatkeqësisht mund te ketë ndikim negativ te investitorët. Kemi pasur edhe rastin e Trepçës, i cili mbetet problem dhe pezullon privatizimin e kësaj ndërmarrjeje”, thotë Dida. Qeveria e Kosovës, tashmë ka vendosur që të privatizojë 75 për qind të aseteve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, ndërkaq 25 për qind e aksioneve do të mbeten në pronësi të Qeverisë. Shyqeri Haxha siguron blerësit potencialë se nuk do të kenë pasoja juridike po që se investojnë në PTK, e cila sipas tij, në muajt e fundit ka shënuar rritje të dukshme të të hyrave dhe shtrirje të shërbimeve për konsumatorët kosovarë. “Ne do të informojmë se ajo nuk qëndron, dhe nuk mund të merret si rrezik nga blerësit potencialë”, tha Haxha. Kontestet me Serbinë për shitjen e ndërmarrjeve publike në Kosovë kanë qenë pothuaj tërë kohën aktuale, pasi që ndryshe nga vendet tjera të ish Jugosllavisë, të cilat me marrëveshje përkatëse kanë ndarë trashëgiminë nga federata e dikurshme jugosllave, kjo gjë nuk është bërë mes Kosovës e Serbisë. Sidoqoftë, kundërshtarë të shitjes së PTK-së, ka edhe brenda Kosovës, të cilët kritikojnë qeverinë për mostransparencë në procesin e privatizimit të kompanisë publike, që konsiderohet të jetë më fitimprurësja në vend.

KOMENTE