Tiranë, 27 Gusht 2010 NOA - Gati dy muaj më parë LSI ka shpallur fushatën e zgjedhjeve për strukturat drejtuese të saj në qytetin e Tiranës dhe në përputhje me planin e veprimit të miratuar, Sekretari i Përgjithshëm Luan Rama komunikoi publikisht faktin që në 26 shtator, e gjitha organizata e LSI të qytetit të Tiranës, merr pjesë në zgjedhje të cilat do të zhvillohen sipas parimit një anëtarë një votë.
Zgjedhjet bëhen për të zgjedhur kryetarin e ri të LSI të Tiranës dhe drejtuesit e tjerë të lartë, nënkryetarët dhe sekretarin e përgjithshme për Tiranën.
Rama tha se kjo fushatë, ndryshe nga fushatat zgjedhore që zhvillohen zakonisht në strukturat e partive, ka për synim jo vetëm të rikonfirmojë vitalitetin dhe forcën organizative politike dhe elektorale të LSI për Tiranën por dhe do të japë dhe modelin e një garë korrekte, të një gare të hapur të ballafaqimit të alternativave të drejtimit për LSI-në e Tiranës.
“Zgjedhjet synojnë edhe të dëshmojnë që parimet mbi të cilat është krijuar LSI, janë parime që marrin jetë dhe zbatohen realisht në të tëra nivelet e funksionimit dhe të drejtimit të saj”, - tha Rama.
Sipas tij, kjo fushatë synon një mënyrë më të përqendruar të për gatisë strukturat e LSI të Tiranës, dhe në vijim të japë modelin për të gjitha strukturat e LSI në të gjithë vendin, të organizmit me synim kryesor fitoren në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Kompaktësimi, ridimensionimi dhe angazhimi total i të gjithë anëtarëve të LSI, i simpatizantëve dhe mbështetësve do të dëshmohet edhe në këtë fushatë të zgjedhjeve si një nga vlerat më të qenësishme tonat”, - theksoi z.Rama.
Nga kjo pikëpamje, - vazhdoi ai, - duke krijuar këtë model, ne dëshmojmë që jemi realisht jo vetëm forcë e organizuar dhe e emancipuar por dhe forcë me ambicie të qarta, me synime të qarta, atë çka ka të bëjë me ballafaqimin e ardhshëm elektoral dhe politik. Pra, për përballimin me sukses të sfidave politike dhe zgjedhore që na presin.
e.r/NOA