English

Ruçi: Protesta në çdo qytet, nëse nuk hetohen zgjedhjet

Tiranë, 27 gusht, NOA – Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi u shpreh se nëse mazhoranca nuk do të marrë parasysh kërkesat e opozitës, opsioni i protestave është ende i vlefshëm, edhe pse kjo nuk është ajo që dëshiron opozita.

“Nëse mazhorancës do t’i mungojë vullneti për të ngritur këtë komision, nuk do të ketë zgjidhje të krizës. Opozita nuk do të ketë asnjë tërheqje, përkundrazi do të ketë një intensifikim të përpjekjeve të saj, gjithmonë demokratike. Si në rrugën institucionale, si në raport me protestat popullore, në çdo shesh, fshat, qytet”, u shpreh Ruçi.

Duke u ndalur në propozimet e bëra, Ruçi u shpreh se për kutitë e votimit do të pritet vendimi i Komisionit të Venecias.

Kërkesën ndaj këtij komisioni, sipas Ruçit duhet ta bëjë Presidenti, Kryetarja e Kuvendit, ose Gjykata.

Ai ka theksuar se pjesë e marrëveshjes së propozuar nga PS, ka qenë dhe reforma zgjedhore, e cila do të bëhet në bazë të rezultateve që do të nxjerrë hetimi i zgjedhjeve.

Nga ana tjetër ai ka përsëritur dhe një herë se PS-ja nuk i bojkoton zgjedhjet.

a.k.NOA

KOMENTE