English

Shkon në 1 milion, numri i aplikantëve për pasaporta biometrike

Tiranë, 27 Gusht 2010 NOA – Është regjistruar sot, aplikimi i njëmiliontë për pasaportë biometrike. Informacioni bëhet publik nga Ministria e Brendshme e cila përfiton nga rasti të ftojë të gjithë qytetarët shqiptarë të pajisen me pasaportë biometrike, si dokumentin që do të mundësojë së shpejti udhëtimin pa vizë në hapësirën Shengen.

Fatmir Konjak, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, pohoi sot se shifra një milion ishte e papritur: “Ritmet e aplikimit për pasaporta biometrike kanë tejkaluar edhe parashikimet tona më optimiste, në bazë të të cilave prisnim që shifrën e 1 milion aplikimeve ta arrinim deri në fund të këtij viti”.

Në këtë pikë, Ministria e Brendshme shpreh kënaqësinë për faktin se në sajë të një sistemi të sigurt dhe tepër modern të aplikimit dhe lëshimit të dokumenteve të identitetit, në harkun kohor të një viti, 1 milion qytetarë shqiptarë aplikojnë dhe pajisen me pasaporta biometrike të standardeve më të larta evropiane.

e.r/NOA

KOMENTE