English

Banorët e Gjegjanit në Pukë, protestë për rregullimin e rrugës

Gjegjan, (Pukë), 28 gusht, NOA – Banorët e Gjegjanit, fshatit që pësoi tragjedinë më të madhe rrugore të kohëve të fundit, kanë organizuar sot një protestë ku kërkojnë rregullimin e rrugës që kalon në këtë zonë.

Dhjetëra banorë kanë kërkuar nga ana e institucioneve të qeverisë që të mundësojnë marrjen e masave për vendosjen e mjeteve mbrojtëse në anë të rrugës. Shumica e aksidenteve që kanë ndodhur në këtë aks, vijnë për shkak të daljes nga rruga të automjeteve.

Banorët kanë deklaruar se nëse nuk do të vendosen mbrojtëset anësore në rrugë ata do të bllokojnë aksin Pukë-Shkodër.

Panelet mbrojtëse të rrugës janë dëmtuar prej kohësh, ndërsa në zona të veçanta ato nuk kanë ekzistuar ndonjë herë.

Rruga ka pasur meremetime të pjesshme gjatë viteve të fundit, por asnjë herë një ndërhyrje në gjithë pikat problematike të saj. Ndërsa fluksi i makinave në këtë zonë vjen gjithnjë e në rritje. Banorët janë ngritur në protestë duke kërkuar përmirësimin e sigurisë në rrugë.

Në aksidentin e ndodhur para pak kohe në fshatin Gjegjan, banorët e të cilit kanë zhvilluar protestën sot, vdiqën 15 persona, si pasojë e daljes nga rruga të një autobusi.

a.k/NOA

KOMENTE