Basha theksoi kërkesën e Shqipërisë që në procesin e liberalizimit të vizave me BE, por edhe në procesin e lehtësimit të lëvizjes së lirë në vendet e Ballkanit Perëndimor të mos ketë asnjë të përjashtuar, por edhe qytetarët kosovarë dhe Kosova të jenë pjesë e këtij procesi
Salzburg, Austri 28 Gusht 2010 NOA - Ministri i Brendshëm Lulzim Basha në takimet që ka zhvilluar gjatë Forumit të dhjetë të Salzburgut në Austri, me disa prej homologëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian ka marrë garancinë se në një nga mbledhjet e vjeshtës Këshilli i Ministrave të Brendshëm do të marrë vendimin mbi propozimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
“Kam patur bisedime dypalëshe me disa prej kolegëve të Bashkimit Europian, të cilët më kanë siguruar se presin finalizimin e hapave teknikë nga Komisioni Europian dhe që shpresojnë që në mbledhjet e tyre të ardhshme në Tetor apo Nëntor, dhe këto mbledhje i ndajnë tre javë nga njëra- tjetra, të finalizojnë vendimmarrjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë”, - deklaroi Ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Në Forumin e 10 të Salzburgut, Shqipëria është vlerësuar si një shembull në rajonin e Ballkanit Perëndimor në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve dhe të lëshimit të dokumenteve të identitetit të standardeve më të larta europiane.
“Gjatë vizitës në Shqipëri u impresionova nga arritjet teknologjike të policisë shqiptare në menaxhimin e integruar të kufijve si dhe në përdorimin e teknologjisë së informacionit në luftën kundër krimit të organizuar. Mendoj se në këto fusha si dhe me qeverisjen elektronike në tërësi, Shqipëria ka ecur shumë përpara sa mund të merret si shembull dhe për vende të tjera të rajonit”, - u shpreh në forum Ministrja e Brendshme e Austrisë Znj. Maria Fekter.
Ndërkohë nisma e Shqipërisë për realizimin e Shengenit ballkanik brenda presidencës njëvjeçare të saj të MARRI-it (Nisma rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët) ka gjetur mbështetjen e plotë të gjithë ministrave të brendshëm të vendeve të rajonit dhe përkrahjen e homologëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
“Nisma jonë për një Ballkan me rregulla Shengen për lëvizjen e qytetarëve të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor, ka gjetur sot përkrahje të plotë jo vetëm nga përfaqësuesit e vendeve të rajonit, ministrat e brendshëm të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, por edhe nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, nga Austria si vendi mikpritës i këtij forumi si dhe nga gjashtë vende të tjera anëtare të BE, të cilat e kanë përshëndetur këtë nismë të Shqipërisë”, - ka deklaruar sot z.Basha.
Ai detajoi se nisma bazohet mbi faktin që vendet tona, kanë plotësuar të kuadër të liberalizimit të vizave të gjitha kriteret e udhërrëfyesit, të cilat në shumë raste janë të barabarta me ato të zonës Shengen dhe se besimi që në këtë mënyrë BE vendos tek vendet tona nëpërmjet heqjes së vizave për qytetarët tanë duhet të shërbejë edhe si një faktor besimi midis vetë vendeve tona.
Produkti final i kësaj nisme do të jetë lëvizje e lirë e çdo qytetari të vendeve të Ballkanit Perëndimor vetëm në disponim të një karte identiteti apo të një letërnjoftimi në të pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovinë”, - ka thënë Ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Sakaq, ministri në fjalën e tij në forum përsëriti kërkesën e Shqipërisë që në procesin e liberalizimit të vizave me BE, por edhe në procesin e lehtësimit të lëvizjes së lirë në vendet e Ballkanit Perëndimor të mos ketë asnjë të përjashtuar, por edhe qytetarët kosovarë dhe Kosova të jenë pjesë e këtij procesi.
Në Forumin e 10 të Salzburgut ishin të pranishëm ministrat e brendshëm të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë, Austrisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Polonisë, Çekisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë.
Në forum u diskutua gjerësisht mbi zgjerimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit policor mes të gjithë vendeve për të rritur efikasitetin e luftës kundër kriminalitetit.
e.r/NOA