Tiranë, 28 gusht, NOA – Partia Demokratike ka vijuar sot sërish me akuzat për korrupsion me lejet e ndërtimit ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Deputeti i PD-së, Flamur Noka, tha në një deklaratë për mediat se janë të shumtë biznesmenët dhe politikanët që kanë akuzuar kreun e Bashkisë për korrupsion dhe se ai duhet të japë sqarime për këto denoncime. “Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i kërkoj z.Edvin Rama të zhdukur në drejtim të paditur, dil nga vrima e lepurit e përgjigju akuzave të ngritura nga firmat e ndërtimit”, tha Noka.
Ai ka përmendur faktin se biznesmeni Dodë Doçi e ka akuzuar publikisht kreun e Bashkisë se i ka kërkuar 20% për një leje ndërtimi.
“Ndërtuesi Dine Fratari të ka paditur publikisht për gjobën prej 1 milion dollarësh që e kalon vlerën e 20% që ti vetë z. Edvin Kristaq Rama i ke vënë këtij ndërtuesi të njohur. Përgjigju!”, u shpreh sot Noka.
Nga ana tjetër ia ka përmendur dhe faktin se në media është denoncuar se “se në këmbim të futjes së Tan Leprit si aksioner, ti (Rama) premtoje dhënien e lejes së ndërtimit”.
Noka është ndalur dhe në akuzën që ka bërë më së fundi deputetja e PD-së, Albana Vokshi.
“Deputetja Vokshi të ka akuzuar se firma “Vizion Construction” është detyruar të fusë si aksioner me 20% mikun tënd, Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri. Përgjigju!
Kjo firmë ndërtimi të akuzon se ky 20% vetëm për këtë rast vlen jo më pak se 100 milion euro. Përgjigju!”, u shpreh deputeti Noka.