English

LSI: Deklaratat e Ruçit, shenjë pozitive për zgjidhjen e ngërçit politik

Tiranë, 28 gusht, NOA – Lëvizja Socialiste për Integrim ka vlerësuar si një zhvillim pozitiv për zgjidhjen e krizës politike deklaratën e bërë dje nga kryetari i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi.

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho, deklaroi sot për mediat se reflektimi i PS-së për dërgimin e çështjes së kutive të votimit në Komisionin e Venecias i shërben zgjidhjes së ngërçit politik.

“E konsiderojmë një shenjë pozitive reflektimin ndaj ftesës së bërë me kohë prej nesh, përmes qëndrimit të mbajtur së fundmi në emër të Partisë Socialiste nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias që të shprehë vendimin në lidhje me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj fletëve të votimit dhe për t’i çelur rrugë kështu, Komisionit Hetimor Parlamentar”, tha Xhixho.

Nga ana tjetër ajo theksoi se LSI përshëndet çdo iniciativë e cila është në favor të krijimit të kushteve për bashkëpunim dhe kontributeve pozitive “për zgjidhje të problematikës që aktualisht është krijuar pas përfundimit të zgjedhjeve të vitit të kaluar”.

Xhixho ka deklaruar se Partia Socialiste duhet të heqë dorë nga inflacioni i deklaratave dhe të bëhet pjesë e reformave kyçe për integrimin e vendit.

“Duke shpresuar që qëndrimi më i fundit i PS të jetë fillimi i një procesi bashkëpunues, e ftojmë lidershipin socialist të integrohet dhe të bëhet pjesë e tërë procesit të reformave europianizuese të vendit, sepse vetëm bashkëpunimi dhe respekti ndaj institucioneve legjitime të vendit, kontributet pozitive dhe alternativat konkurruese janë ato që pret vendi në këtë kohë sfidash të mëdha”, u shpreh Xhixho.

a.k/NOA

KOMENTE