Shkodër, 28 gusht, NOA – Një 22-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës për shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim i femrave. Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se bëhet fjalë për Mark Malocaj (Ciobanu), i lindur në fshatin Trush të komunës Bërdicë në rrethin e Shkodrës.
Arrestimi i tij u bë pas denoncimit që ka bërë në polici vajza e shfrytëzuar prej tij me inicialet F.K. Malocaj pasi e kishte rrëmbyer vajzën duke e mashtruar, e kishte mbajtur atë disa ditë të fshehur në një hotel. Vajza ka deklaruar në polici se është detyruar që të ushtrojë prostitucion me forcë nga 22 vjeçari.Gjithashtu, në rrëfimin e saj vajza ka deklaruar se Malocaj, ka tentuar ta shesë atë dhe në një prej vendeve fqinje.
Arrestimi i Malocajt është bërë sot në orët e para të mëngjesit në banesën e tij. Forcat e policisë kanë marrë të gjitha masat për rrethimin e banesës dhe kapjen e 22 vjeçarit.
Rrëmbimi i vajzës 18 vjeçare është bërë në muajin korrik, ku për disa ditë ajo është shpallur si e humbur nga policia. Ajo është gjetur dje nga policia dhe pas kallëzimit që ka bërë, forcat e rendit kanë bërë arrestimin e 22 vjeçarit.
a.k/NOA