Tajlandë, 28 gusht, NOA – Shumë pak mund të mos e kenë parë filmin me aktorin Nikola Skejxh me titull, “Zoti i Luftës”. Në të pasqyrohet historia e një trafikanti armësh rus, i cili arrinte t’ua hidhte gjithmonë autoriteteve duke shfrytëzuar lidhjet që kishte me drejtuesit e qeverive të ndryshme.
Personazhi i filmit është real dhe quhet Viktor But, tashmë i arrestuar për llogari të amerikanëve në Tajlandë. But është në pritje të gjyqit dhe ekstradimit, por duket se kjo çështje ka futur në lojë interesat e shumë vendeve, duke qenë se But ka informacion për shumë trafiqe. Gjithsesi ai thotë se është një biznesmen i ndershëm që nuk ka lidhje me armët.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit e Tajlandës, e cila vendosi ta ekstradojë në SHBA, But deklaroi se të gjitha akuzat e ngritura kundër tij në lidhje me trafikim armësh janë fabrikuar nga shërbimet sekrete amerikane.
Për këtë flitet në deklaratën që u lexua nga bashkëshortja e tij në konferencën për shtyp që u organizua në Bangkok.
But kujtoi, se në periudhën e viteve 1993-2001 ai kishte një biznes të vetin legal në sferën e transportimeve ajrore ndërkombëtare.
Që nga ajo kohë ai, sipas fjalëve të tij, nuk ka ushtruar më kurrfarë veprimtarie në sferën e biznesit ndërkombëtar, raporton agjencia ruse e lajmeve RIA.
e.k/NOA