Tiranë, 3 Shtator, NOA – Kryeministri Sali Berisha priti sot ambasadorin e Kosovës në Tiranë Gazmend Pulaj, me rastin e largimit nga detyra e ambasadorit në Shqipëri.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Berisha e falënderoi Pulajn për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë kësaj periudhe dhe vlerësoi kontributin e padiskutueshëm të ambasadorit në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve vëllazërore dhe të bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy vendeve, në veçanti përsa i përket zhvillimit të kuadrit ligjor të gjithanshëm që rregullon marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis dy vendeve.
Nga ana e tij, ambasadori Pulaj i shprehu mirënjohjen e thellë kryeministrit Berisha për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe për mbështetjen e jashtëzakonshme që kryeministri dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë atij dhe ambasadës së së Kosovës në Tiranë për realizimin e misionit të tyre.
Ambasadori vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm personal të kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës, si dhe kontributin e jashtëzakonshëm për ndërtimin e infrastrukturave madhore që lidhin më ngushtësisht të dy vendet dhe sjellin shërbim të madh në zhvillimin e Kosovës dhe rajonit.
Pulaj në fund u shpreh se largohet më përshtypjet më të shkëlqyera nga Shqipëria dhe se edhe në të ardhmen do të vazhdojë kontributin në shërbim të Kosovës dhe forcimit të lidhjeve vëllazërore e bashkëpunimit midis dy vendeve.
n.e/NOA