Gjirokastër, 3 shtator, NOA – Një person nga Maqedonia dhe një tjetër nga Gjirokastra kanë rënë në pranga e policisë për trafikim të lëndëve narkotike. Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se droga e blerë në Lazarat ishte destinuar për në tregun e vendit fqinj.
Të arrestuarit janë Husamedin Shahini, 35 vjeç nga Shkupi i Maqedonisë dhe 20-vjeçari Alsid Cani nga Gjirokastra.
Arrestimi i dy personave është bërë gjatë mbrëmjes së djeshme në aksin kombëtar Gjirokastër-Tepelenë në kuadër të operacionit “Destinacion i largët”.
Pas sinjalizimeve në rrugë operative forcat e policisë janë vënë në lëvizje duke bllokuar disa pika kalimi nga fshati Lazarat dhe duke ngritur postblloqe në rrugën Gjirokastër-Tepelenë.
Informatorët e policisë kanë dhënë detaje mbi makinën që kishte dalë nga fshati Lazarat.
Për këtë qëllimin forcat e policisë kanë bërë ndalimin e automjetit furgon tip “Opel” me traga maqedonase SK 339 PT.
Nga kontrolli i parë i policisë nuk është identifikuar asnjë lëndë narkotike. Kjo ka bërë që policia të shoqëroj në komisariat dy personat dhe të bëjnë një kontroll më të imtësishëm të makinës, raporton korrespodenti i Agjencisë NOA.
Nga kontrolli makinës në gomën e saj është gjetur një sasi prej 10 kilogramësh hashash.
a.k/NOA