English

Fillimi i shkollave, policia vendoset në gatishmëri për ruajtjen e sigurisë brenda tyre

Tiranë, 3 Shtator, NOA - Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2010-2011, strukturat e Policisë së Tiranës në bashkëpunim me drejtorinë Arsimore Rajonale, kanë planifikuar për të marrë të gjitha masat e nevojshme mbi sigurimin e rendit dhe të qetësisë në shkollat 9-të vjeçare e të mesme.

Këto masa konsistojnë në organizimin dhe drejtimin e shërbimeve të policisë për kontrollin e plotë të territorit, si dhe në përcaktimin dhe ndjekjen e detyrave nga patrulla e përgjithshme të Policisë e strukturat e tjera policore, në interes të garantimit të rendit e qetësisë publike dhe zhvillimit normal të procesit mësimor në shkollat e të gjitha niveleve në qarkun e Tiranës.

Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të kryeqytetit, sipas të cilave, ato do të angazhojnë pranë objekteve shkollore punonjës policie, të cilët do të marrin drejtimin e punës për garantimin të rendit dhe sigurisë publike në shkolla dhe pranë tyre; dhënies së ndihmës për lëvizjen e lirë të mjeteve dhe të këmbësorëve në afërsi të shkollave, si dhe do të marrin masat e nevojshme ligjore ndaj kundravajtësve.

Vëmendja në këtë drejtim do të përqendrohet ndaj drejtuesve të mjeteve që ecin me shpejtësi apo parkojnë në vende të ndaluara në afërsi të shkollave.

Ndërkaq, vëmendje do t’i kushtohet edhe identifikimit dhe kontrollit të elementëve me precedentë penal, që cënojnë rendin e qetësinë publike, apo që kanë tendenca për kryerjen e veprave penale.

Sikundër, do të intensifikojnë edhe masat ndaj personave që kanë tendencë shpërndarjen apo përdorimin e lëndëve narkotike në shkolla, apo në mjediset përreth tyre.

Në fund, Policia e Tiranës fton qytetarët që ditën e parë të shkollës, më datë 6 shtator 2010, të qarkullojnë në rrugët publike duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe u sugjeron përdorimin e mjeteve të transportit publik për një rrjedhshmëri normale të trafikut.

n.e/NOA

KOMENTE