Kuvendarët e Kosovës kanë shpenzuar jo pak mjete duke i vizituar Kuvendet në shtetet evropiane dhe të kontinenteve tjera dhe është dashur të mësojnë se cili është roli i Kuvendit në raport me media
Nga Behxhet Sh. Shala
Dy përmbajtje, pa asnjë dallim: Për Xhingis Kanin duhet të kenë dëgjuar të gjithë ata që e kanë mbaruar ndonjë shkollë, qoftë publike apo private! Ose që kanë lexuar diçka në jetën e tyre! Përjashtim bëjnë një numër jo i vogël i politikanëve të Kosovës që në jetën e tyre nuk e kanë lexuar një roman të vetëm por që janë të qëndisur me tituj më të lartë akedemik dhe shkencorë sipas rekomandimeve (literaturës) së Kallashnikovit, Beretës, Uzit, Valterit, Zbrojevkës, Kashikarës, Zastavës, Zig- Sauerit etj. Besoj se e keni të qartë se këto janë disa lloje të armëve që qarkullojnë dhe përdoren në Kosovë, për qëllime biznesi (shantazhi, zhvatje, kërcënimi etj.) dhe pa asnjë dyshim për qëllime të sigurimit të statusit të intelektualit dhe ekspertit ( kryesisht për një numër të politikanëve aktualë që nuk janë të aftë të bëjnë politika por janë shumë të aftë t’i zbatojnë politikat që u imponohen nga diplomatët e kategorisë ZH, të korruptuar dhe alter ego e krimit të organizuar)! Xhingis Kani ka qenë udhëheqës i mongolëve dhe është shquar për pushtimin e tokave të shumta duke zbatuar brutalitet të skajshëm. Sot, Mongolia e Xhingis Kanit ka mbetur askund dhe nuk luan asnjë rol të rëndësishëm në botë, as në planin politik dhe as atë ekonomik! Organi më i lart ligjvënës i këtij shteti komunist është Hurali ( Kuvendi ) i Madh! Edhe në Kosovë e kemi të njëjtin organ ( Kuvendin ) e që nuk është edhe aq i madh. Jo aq i madh sa ai i Mongolisë! Po sherrin e ka të madh! Shkas për këtë shkrim dhe krahasim ishte një letër që i drejtohej Bordit të RTK-së pasi RTK nuk e transmetoi drejtpërdrejtë vizitën e ministrit për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Gvido Vestervelle i cili e vizitoi Kuvendin e Kosovës dhe iu drejtua me një fjalë rasti deputetëve të këtij Kuvendi, të cilët u mblodhën turr e vrap! Si të ishin të hurit e të konopit! Ishin shumë pak deputetë sepse pas punës së “mundimshme” dhe të “lodhshme” që e bënë si dhe pasi që siguruan fonde shtesë duke abuzuar buxhetin e Kosovës ( rritje të pagave të tyre dhe përfitime të tjera të paligjshme dhe të pamoralshme) shkuan në pushime të “ merituara “! Letra fillon kështu:” të nderuar zotërinj të RTK-së...”, duke vazhduar pastaj me kërcënime dhe fyerje të pashembullta edhe për rrugaçët postmodern! Nga një Kuvend që në vendet normale ka detyrim ligjor të mbrojë pavarësinë e mediave në përgjithësi dhe mediumit publik në veçanti! Po ky i yni nuk e mbron RTK –në, si medium publik por e ka për qëllim ta ngulfasë, kontrollojë 100%, nënshtrojë, turpërojë dhe ta shndërrojë në zorrë të trashë përmes së cilës do të lirohet nga gazrat që kundërmojnë mjedisin informativ! Bordi i RTK-së e heshti këtë diversion të Kuvendit shkaku se është në varshmëri materiale nga Kuvendi prandaj u arsyetua se shkaku se nuk ka pasur përkthyes, nuk e ka transmetuar këtë vizitë “ historike” dhe rolin e kuvendarëve në këtë ngjarje, gjithashtu “historike”! Kuvendarët e Kosovës kanë shpenzuar jo pak mjete duke i vizituar Kuvendet në shtetet evropiane dhe të kontinenteve tjera dhe është dashur të mësojnë se cili është roli i Kuvendit në raport me media. Me këtë qëndrim ndaj RTK-së përmes letrës kërcënuese, Kuvendi i Kosovës ka hyrë në garë “ demokratike” me Kuvendin e Bellorusisë të Llukashenkos! Madje, është disa hapa para Bjellorusisë! Askush nga mediat pjesërisht të pavarura dhe “ krejt” të pavarura nuk doli në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kundër këtij kërcënimi ! E pse të dalin kur edhe ata mund ta pësojnë fatin e RTK-së! Ato, me kohë i kanë sqaruar gjërat duke bërë biznes me politikanët dhe duke ua shpëlarë paratë e pista, të gjakut dhe të djersës! Jo të gjitha, por nuk janë edhe pak! Shiten për një vend pune, për një darkë apo udhëtim jashtë vendit! Për asgjë hiç! Vullnetarisht denoncojnë për t’u kualifikuar që të bëhen shërbëtorë të pushtetit ( politikanëve ), vendorë dhe ndërkombëtarë ( diplomatëve )! Në fund të fundit, a është e domosdoshme që thuaja çdo vizitë e diplomatëve aktiv ndërkombëtarë që gjithmonë nuk e kanë qëllimin fort të mirë dhe atyre të pensionuar të përfundojë me një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovë? Dhe që deputetët e Kuvendit të palohen si nuset e Gostivarit! Asnjë shtet normal nuk e zbaton këtë mënyrë ose e bënë vërtetë në situata të jashtëzakonshme! Te ne nuk kanë dallim midis situatave e jashtëzakonshme prej atyre të zakonshme! Të gjitha janë ngjarje historike dhe të gjithë duan të bëhen pjesë e historisë! Disa edhe janë bërë më shumë se vet historia, përrallë hesapi! Kam përshtypjen se këto spektakle kuvendore më shumë i organizojnë për përmbushjen e nevojave të tyre personale se sa që duan ta nderojnë mysafirin! Duan ta pasurojnë dhe fisnikrojnë CV-në dhe kartën sociale të tyre! Duan ta kompensojnë kompleksin e inferioritetit duke u faktorizuar përmes këtyre seancave të jashtëzakonshme dhe duke e shndërruar Kuvendin në Teatër të Kukullave! Ose, thënë shqip, duan të bëhen dhëndërr me halete të huaja! Menjëherë pas kësaj do të mbahet një seancë e radhës dhe e jashtëzakonshme me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë! Nuk e di kur do të ndalen këto seanca?! E kam marrë si detyrim t’i përcjellë kryekuvendarit të Kosovës një lutje të një qytetari të Kosovës për edhe një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës në të cilën qytetari Kurtan Leshi do t’i drejtohej deputetëve të nderuar dhe të respektuar të këtij Kuvendi me rastin e 33 vjetorit të synetisë së djalit të tij të hasretit, Lesh Kurtanit! Kurtan Leshi i përmbush të gjitha kriteret që kanë kërkuar ndërkombëtarët. Deputetëve të Kuvendit do t’u drejtohet në gjuhën shqipe, serbe dhe turke! Kështu, për arsye se nuk do të ketë nevojë për përkthim, RTK do të jetë në gjendje ta bëjë transmetimin e drejtpërdrejtë të kësaj ngjarjeje historike ndërsa Kuvendi i Kosovës do ta kursejë Bordin e RTK-së nga letra të tjera! Është në mandatin e presidentit të Kosovës nëse do ta dekorojë qytetarin Kurtan Leshi! Madje, deputetët që janë të interesusr, përveç shtrëngimit të duarve me babain krenar, historik dhe legjendar, Kurtan Leshin do të kenë mundësinë të bëjnë një foto me Lesh Kurtanin, të birin e Kurtan Leshit me rezultatet e synetisë! Që t’i ruajnë si suvenir!
Vdiq Sihani, vdiq Sihani oj e mjera…?? Në bazë të titullit realisht lindin disa dilema; kush do të duhej të ndjehej e mjerë dhe e pikëlluar për këtë vdekje, Jugosllavia, Kosova, Shqipëria, Suedia, Serbia apo Mali i Zi?! Apo të gjithë nga pak! Përpjesëtimi i dhembjeve e zbut vuajtjen, nëse pajtoheni me mua, lexues të nderuar ! Po e kuptoni se për kend e kam fjalën. Ditë më parë, vdiq dhe u varros, pa nderime ushtarake dhe shtetërore ish politikani i Kosovës dhe Jugosllavisë, Sinan Hasani. Kam pasur rastin ta përcjellë një intervistë që e pati bërë me te, në Budva të Malit të Zi, gazetari Zejdush Kastarati! Sinan Hasani atëherë mbante një qëndrim politik në pozicionet e mëparshme. Kjo nuk ishte aspak befasi për mua! Çka më bëri shumë përshtypje ishin kushtet në të cilat jetonte në Budva. Ato ishin kushte të përafërta me kushtet në të cilat jetonin të zhvendosurit në Kampin e Plemetinit. Ishin vetëm pak më të mira! Më kujtohet se kur pati vdekur dhe ishte varrosur Fadil Hoxha kjo ceremoni u bë me të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore! Në librin biografik të shkruar nga Veton Surroi “ Në veten e parë”, Fadil Hoxha asnjëherë nuk heq dorë nga Jugosllavia dhe krimineli Tito. Ai i ka problemet me Spasoje Gjakoviqin i cili, me librin e tij e rrëzoi Fadilin nga pushteti. Është e pabesueshme që Fadili, pas gjithë asaj që ka ndodhur pas përfundimit të luftës ku e kanë pësuar vetëm shqiptarët ende flet për bandat e Shaban Polluzhës dhe se me sa pasion rrëfen se si filan partizani shqiptar për një ditë vrau 10-15 ballistë të Xhemë Gostivarit apo të Mulla Idriz Gjilanit!!! Madje, në një mënyrë Shaban Polluzhën e vë në raport miqësie dhe bashkëpunëtor të OZNËS famëkeqe dhe kriminale! Kjo është vetëm një pjesë e vogël nga ky libër për të cilin besoj se do të shkruaj më shumë! Nëse edhe Sinan Hasani asnjëherë nuk ka hequr dorë nga Jugosllavia dhe Titoja atëherë në këtë rrafsh është i barabartë me Fadil Hoxhën! Pra, nëse Fadil Hoxha është varrosur me përcjellje të Gardës Ceremoniale të TMK-së dhe nderime shtetërore atëherë edhe Sinan Hasani është dashur të përcillet dhe të nderohet nga Garda Ceremoniale e FSK-së! Nëse për Fadilin ka qenë Hashim Thaçi, pse për Sinanit të mos shkojë në varrim Fatmir Sejdiu spo Jakup Krasniqi! E jo ta dërgojnë Kaçusha Jasharin! Emërues i përbashkët i Fadil Hoxhës dhe Sinan Hasanit ka qenë besnikëria e përbashkët dhe e palëkundur ndaj Jugosllavisë dhe Titosë si dhe lufta kundër “ bandave” të Shaban Polluzhës dhe ballistëve të Xhemë Gostivarit si dhe nacionalistëve të Mulla Idriz Gjilanit të cilët kanë qenë vet zemra e patriotizmës shqiptare dhe luftëtarë të vëretë të lirisë që e kanë kundërshtuar deri në vdekje Jugosllavinë dhe kriminelin Tito! Fadil Hoxha dhe Sinan Hasani kanë qenë patriotë për aq sa TMK ka qenë ushtri dikur dhe për aq sa FSK është ushtri sot! Nëse vdes në Prishtinë nuk do të thotë se je më patriot se ai që vdes në Beograd dhe anasjelltas! Askush nuk e di se kur dhe ku do të vdesë përveç atyre që krijojnë vepra! Si Azem Bejta, Shaban Polluzha, Xhon Serreçi, Marie Shllaku, Mulla Idriz Gjilani, Rexhep Malaj, Zahir Pajaziti, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Fehmi Lladrofci, Xhevë Lladrofci, Luan dhe Shkëlzen Haradinaj Agim Ramadani dhe të gjithë dëshmorët e kombit!
(*) Dërguar nga autori, drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Qëndrimet në këtë shkrim janë krejt personale