Tiranë, 3 shtator 2010 NOA - Duke filluar nga data 6 shtator 2010 Kontrolli i Detyrueshëm Teknik i Automjeteve, i njohur gjerësisht si kolaudimi, do të pësojë ndryshime rrënjësore në cilësi dhe procedura, bazuar në Direktivën e Bashkimit Europian 2009/40/EC dhe Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Kompania zvicerane SGS Société Générale de Surveillance, lider botëror në fushën e testimeve dhe certifikimeve, e cila mori përsipër kryerjen e këtij shërbimi nëpërmjet kontratës koncensionare të nënshkruar me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transporteve.
Në vitet e kaluara ky shërbim ka qenë etiketuar shpeshherë si i korruptuar dhe joprofesional.
Në disa raste emisionet investigative të televizioneve të ndryshme kanë vërtetuar këtë etiketim.
Kjo ishte edhe një nga arsyet kryesore që e shtynë Qeverinë shqiptare të inicionte procedurat e dhënies me koncension të këtij shërbimi.
Që nga momenti i nënshkrimit të kontratës, kompania koncensionare filloi punën për rikonstruksionin e 14 qendrave ekzistuese të Kontrollit Teknik në të gjithë Shqipërinë dhe ndërtimin e një qendre të re në Qarkun e Tiranës.
Investimi parashikonte rikonstruksionin e plotë të ndërtesave të cilat në shumë raste ishin në gjendje të mjerueshme, montimin e pajisjeve të reja të kontrollit teknik dhe trajnimin e punonjësve me procedurat e reja të këtij kontrolli.
Vlera e këtij investimi kap shifrën 670.026.000 lekë. Teknologjia kontrollit teknik e instaluar në këto qendra është e fjalës së fundit, prodhim i kompanisë së mirënjohur gjermane MAHA, lider botëror në prodhimin e pajisjeve testuese dhe kontrolluese të automjeteve
QENDRA E RE E KONTROLLIT TEKNIK NË TIRANË
Kompania koncensionare SGS Automotive Albania ka përfunduar ndërtimin e Qendrës së Re të Kontrollit Teknik të Automjeteve në Rrugën nacionale Vorë – Fush-Krujë, km. 5.
Kjo qendër e ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim do të ofrojë shërbimin në gjashtë linja kontrolli, katër për autoveturat dhe dy për mjetet e rënda.
Duke filluar nga kjo datë, Qëndra ekzistuese e Kontrollit Teknik do të mbyllet për arsye rikonstruksioni.
Dokumentacioni i domosdoshëm që duhet të ketë përdoruesi i mjetit rrugor kur paraqitet për kontroll teknik:
Leja e qarkullimit të automjetit
Certifikata e vjetër e kontrollit teknik
Vërtetimi nga Zyra e Taksave e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor që vërteton:
Pagesën e taksave vjetore të regjistrimit dhe të qarkullimit
Pagesën e gjobave për paraqitje me vonesë në kontroll teknik (nëse ka të tilla)
Çelësat e automjetit
Përpara se te paraqiten në Qendrën e Kontrollit Teknik, për të shmangur vonesat dhe problemet përdoruesit e mjeteve duhet të kenë parasysh:
Automjeti që do të paraqitet në Qendrën e Kontrollit Teknik të jetë teknikisht në rregull, si nga ana vizuale (fenerë, sinjalistikë, paraqitje etj.) ashtu edhe nga ana mekanike (motor, sistem amortizimi, sistem drejtimi etj.)
Procedura e kontrollit teknik parashikon të kontrolloje pjesën e jashtme (të sipërme dhe të poshtme) si dhe pjesën e brendshme të automjetit. Prandaj automjetet duhet të jenë të pastër.
Procedura që duhet të ndjekë përdoruesi i mjetit rrugor në momentin që paraqitet në ambientet e Qendrave të Kontrollit Teknik:
Me setin e dokumentacionit të mësipërm paraqitet në zyrën e pritjes
Recepsionisti, punonjës i SGS Automotive Albania, kryen procedurat e regjistrimit të mjetit në sistemin kompjuterik dhe lëshon faturën përkatëse dhe kuponin tatimor.
Përdoruesi i mjetit rrugor nënshkruan deklaratën mbi gjendjen teknike të automjetit të tij.
Përdoruesi i mjetit rrugor dorëzon çelësat e automjetit.
Përdoruesi i mjetit rrugor kalon në ambientet e pritjes, nga ku mund të vëzhgojë mjetin e tij që kalon në fazat e ndryshme të testimit
Pas përfundimit të testimit, përdoruesi i mjetit rrugor kalon në zyrën e informacionit ku merr në dorëzim:
Në rast se mjeti kalon me sukses testimin, çelësin e automjetit dhe certifikatën e vlefshme të kontrollit teknik.
Në rast se mjeti nuk e kalon testimin, çelësin e automjetit, certifikatën me shënimin “NGEL” dhe Raportin e Kontrollit Teknik ku shënohen zërat në të cilat mjeti ka nevojë për riparim.
Kontrollori teknik jep sqarimet e nevojshme për arsyet e ngeljes së mjetit në procesin e testimit.
Të dhënat e raportit teknik do të jenë të vlefshme për përdoruesin e mjetit për të riparuar mjetin e tij përpara se të paraqitet për rikontroll në Qendrën e Kontrollit Teknik
Rikontrolli i automjeteve
Rikontrolli i automjeteve brenda periudhës një mujore pas datës së kontrollit të parë parashikon vetëm kontrollin e zërave në të cilat automjeti është konstatuar me probleme. Tarifat e rikontrollit janë të publikuara në çdo Qendër Kontrolli Teknik.
Tejkalimi i afatit një mujor parashikon kontroll të plotë për automjetin dhe pagesë të plotë të tarifës së kontrollit teknik.
RREGULLA TË BRËNDSHME TË FUNKSIONIMIT TË QENDRAVE TË KONTROLLIT TEKNIK
Në Qendrat e Kontrollit Teknik ndalohet rreptësisht:
Hyrja e përdoruesve të mjeteve dhe e të gjithë personave të paautorizuar në ambientet e linjave të kontrollit teknik të automjeteve.
Pirja e duhanit në të gjitha ambientet e brendshme të Qendrave të Kontrollit Teknik.
Mbajtja e lëndëve të rrezikshme brenda automjetit gjatë procedurës së kontrollit teknik
Çdo send/objekt, jo pjesë konstruktive e automjetit, që mund të pengojë kryerjen e procedurave të kontrollit teknik.
Prania e kafshëve në brendësi të automjetit gjatë procedurës së kontrollit teknik.
TARIFAT E SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TEKNIK
Tarifat e Shërbimit të Kontrollit Teknik të Automjeteve, si dhe rregullat dhe procedurat përkatëse, janë të miratuara nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe janë të afishuara në të gjitha Qendrat e Kontrollit Teknik. Këto janë tarifa fikse dhe të panegociueshme. Mos paguani asnjë shumë tjetër përveç këtyre tarifave të parashikuara. Çdo shkelje e këtij rregulli konsiderohet vepër penale dhe do të raportohet menjëherë pranë autoriteteve përkatëse.
Për të denoncuar cdo tentative për abuzim SGS Automotive Albania ka vënë në dispozicion nr. 067 2770777!
e.r/NOA