English

MPPRRT: Bashkia po përpiqet të betonizojë Liqenin, mushkërinë e kryeqytetit

Tiranë, 3 Shtator, NOA – “Kryebashkiaku Edi Rama nuk jep asnjë informacion se çfarë, si dhe sa do të ndërtohet në digën e liqenit artificial të Tiranës, nuk jepet asnjë informacion për grataçela apo ndërtime shumëkatëshe, ndaj ai nuk mund të bëjë sot strucin tinëzar, për të fshehur lidhjen me aferën e 20 përqindëshit të lepujve të tij të korrupsionit prej 100 milionë euro”.

Kështu u shpreh sot një përfaqësues i ministrisë së Punëve Publike dhe Rregullimit të Territorit, sipas të cilit “në vitin 2004, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës, i drejtuar nga kryeministri i atëhershëm Fatos Nano, ndryshoi kufirin e parkut të madh të Tiranës dhe i la detyrë Bashkisë së kryeqytetit të propozonte destinacionin e ri të zonave që nxirreshin jashtë këtij kufiri”.

“Me vendim 131, datë 08.06.2006, KRRT-ja e Bashkisë Tiranë, vendosi të miratojë kërkesën për përcaktimin e destinacionit të zonave që kanë dalë nga vija kufizuese e parkut të madh të qytetit të Tiranës, sipas hartës bashkëlidhur këtij vendimi”, sqaroi më pas përfaqësuesi i MPPRRT-së.

Sipas tij, në propozimin tinëzar të Ramës nuk ka asnjë informacion për grataçela.

Por me shkresën me nr. protokolli nr.5868/2 datë 20.07.06, nënshkruar nga Dritan Agolli, Bashkia e Tiranës i përcolli Sekretarisë Teknike të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës, kërkesën për miratimin e ndryshimeve të propozuara.

“Zona në veri të digës së liqenit artificial, nga zonë sportive kalon në zonë banimi.

Sikurse shihet, as në kërkesën për miratim, nuk ka asnjë informacion për ndërtime shumëkatëshe. Por në 12.09.2006, me shkresën 7158, nënshkruar nga Ariela Kushi, Bashkia e Tiranës na ka dërguar relacionin mbi ndryshimin e destinacionit.

As në këtë relacion nuk ka asnjë të dhënë për megastruktura”, përfundon denoncimi i kryer nga ministria e Punëve Publike dhe Rregullimit të Territorit ndaj kryebashkiakut Edi Rama.

n.e/NOA

KOMENTE