English

Politikëbërja alla kosovarçe

E, pra, ndoshta është qesharake pak sa ky shembull krahasues, por mua më duket se edhe politikëbërja kosovare i ngjason mu kësaj loje fëmijërore alla “Vëlla me motra”

Nga Adnan Abrashi

Zakonisht, te ne mendohet se partitë janë subjekte politike, të cilat si qëllim themelor të ekzistimit dhe funksionalitetit të tyre, e kanë arritjen e marrjes së timonit të udhëheqjes me pushtetin. Në shikim të parë, ashtu edhe është, por, këtë definomë të thjeshtë duhet marrë vetëm si pjesë e një definicioni më të zgjeruar dhe më kuptimplotë. Sepse, të gjitha subjektet politike në një shoqëri të mirëfilltë, përveç se janë grupe njerëzish të organizuar që tentojnë të vijnë në pushtet, ata, duhet ta kenë synimin, në rend të parë, që në planin e jashtëm, t’i mbrojnë interesat kombëtare dhe nacionale të atij shteti, ndërsa, në atë të brendshmen, përmes programeve të ofruara, të bëjnë diçka shumë më mirë për mirëqenien e popullit të vetë, se sa që është bërë deri më tani nga paraardhësit e tyre. Sa kuptohet dhe realizohet politika me këtë logjikë në Kosovë, është diçka krejtësisht tjetër. Ajo, te ne, edhe më tej vazhdon të mbetet si synim në kuptimin e ngushtë të definicionit të saj të thjeshtë: kryekëput si qëllim vetëm për arritjen e marrjes së pushtetit dhe pastaj “xhenet” për liderët dhe anëtarët tjerë të rrethit më të ngushtë partiak. Por, ndoshta si kuraje, fajin për këtë moral të gabuar politik duhet kërkuar edhe në realitetin e pakontestueshëm të “sui generis”-it gjithëpërfshirës të rastit Kosovë në botë (shpesh po na konvenon që në gjuhën politike veten ta cilësojmë kështu). A thua, që nga paslufta e deri më sot, çfarë politike produktivdhënëse kemi bërë ne? Nga veprimet tona të gjertanishme thuaja bërje politikë do të vërejmë vetëm servilizëm, përkulje, nënshtrim dhe asgjë tjetër. Shprehur me gjuhën arkaike: do të vërejmë vetëm politika të “prapanicës së pambrojtur për ngulitje” nga të tjerët, ndërsa, shprehur më me seriozitet – politikë kryekëput “kompromisesh të dhembshme për ne”.sikur dimë shpesh me patetizëm të arsyetohemi ne para të tjerëve. Ekziston një anekdotë popullore për Nikolla Pashiqin dhe birin e tij, i cili kishte diplomuar në një universitet reputativ evropian. Gjatë një evenimenti solemn të diplomimit të të birit që e kishte organizuar Pashiqi, pak edhe i ngacmuar nga vera e tepruar që kishte pirë, në një moment dhe në praninë e shumë mysafirëve të shumtë që ishin prezent aty, i drejtohet të birit me këto fjalë: - “Shfrytëzoj rastin që në këtë moment edhe publikisht të ta uroj diplomimin, por tani t’u kisha lutur që edhe para këtyre miqve tanë të na tregosh se çka ke mësuar ti në atë shkollë tënde të lartë për politikën. Më thuaj, të lutem thjesht dhe me fjalët tua, se çka është politika dhe si e kupton ti atë?” I gjetur në këtë situatë të papritur dhe provokues të babait të vet, kot djaloshi i njom tentoi që me disa definicione të urta akademike ta kënaqi kureshtjen e babait dhe të të pranishmëve të tjerë në atë eveniment. - “Jo, jo, biri im!”- reagoi me ironi Pashiqi në këto përgjigje të të birit .- “Ato definicione shkollore, duhet të jenë të sakta në teori, por jo në praktikë. Politika, biri im, është një shkathtësi e veçantë ku, gjithnjë me njërën dorë duhet ta ruash prapanicën tënde mos po ta “ngul” dikush, kurse me dorën tjetër të tentosh ti t’ia “ngulsh” dikujt tjetër pa të diktuar ai”. Kuptohet kjo është një anekdotë dhe barsoletë metaforike, e cila, në fakt, edhe sot me të madhe zbatohet në praktikën diplomatike, e veçanërisht nga ana e vetë shtetit pasardhës të Nikolla Pashiqit dhe birit të tij - Serbisë. Në fakt, nëse këtë anekdotë si sarkazëm, e krahasojmë me politikëbërjen dhe politikëbërësit aktual në Kosovë, do të vërejmë se e njëjta aspak nuk mund të merret si kompatibile. Sepse, praktikisht, në mënyrën e sotme të politiëbërjes në Kosovë, ne paraqitemi si sakat dhe pa gjymtyrë, ku nuk jemi në gjendje as ta ruajmë prapanicën tonë, e lere më të tentojmë t’ia “ngulim” dikujt tjetër nga pas. Praktikisht, parimi i parë dhe esencial i moralit që sot po ndërtohet për politikën në kosovarë, qëndron në një epitet që mund të shprehet me disa sinonime: dëgjueshmëri, përkulje, servilizëm... Në të vërtet, heshtje dhe pajtim për çdo “ngulitje” mbrapa në prapanicën tonë dhe konsiderata ndaj këtë akt si mbjellje edhe të një fidani të ri, frutat e shijshme të së cilit do t’ia shijojmë në të ardhmen. Edhe një shembull metaforik për fund. Sa isha i vogël, më kujtohet shumë mirë një lojë e jona fëmijërore e quajtur “Vëlla me motra”. Sipas rregullave të kësaj loje, dikush nga ne u bënte babë, e dikush nënë, kurse kukullat dhe lodrat tjera ishin fëmijët tanë dhe gjësendet për improvizimin e skenografisë së lojës. Gjersa ne të gëzuar papenguar loznim lojën tonë, prindërit tanë nga ana tjetër e dhomës, na përcillnin në heshtje dhe të kënaqur. Kjo nemitej e tyre zgjaste deri në momentin kur në mes nesh plaste sherri dhe ne fillonim në mes veti të ziheshim për ndonjë detal të parëndësishëm. Në këtë rast, fillimisht duke na marr me të mirë, reagimi i prindërve tanë ishte këshillëdhënës dhe më tepër me karakter bindës (karota), por, shpesh në rast të mosbindjes ndaj kërkesave dhe këshillave të tyre nuk mungonte edhe ndonjë flakaresh (shkopi). Në fakt, atëbotë, niveli i lirisë së lojës tonë si fëmijë, shtrihej aq larg, derisa diçka si veprim, nuk prishte qetësinë e prindërve tanë, të cilët, nga këndi tjetër i dhomës, gjatë tërë kohe na shikonin dhe mbikëqyrin me vigjilencë. E, pra, ndoshta është qesharake pak sa ky shembull krahasues, por mua më duket se edhe politikëbërja kosovare i ngjason mu kësaj loje fëmijërore alla “Vëlla me motra”. Sepse, aty, shumë lehtë dikush mund të bëhet babë, dikush nënë, e dikush edhe politikan, ministër dhe kryetar... dhe, kjo kënaqësi do të vazhdoj aq gjatë gjersa ndërkohë me ndonjë veprim të palejueshëm nuk do t’ua prishësh qetësinë e “prindërve” tanë që na vrojtojnë dhe monitorojnë pandërprerë...

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale

KOMENTE