Tiranë, 3 shtator 2010 NOA - Spanja kontribuon në krijimin e Zyrës së Shtypit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë për përmirësimin e nivelit të komunikimit ndërmjet sektorit gjyqësor dhe shoqërisë civile shqiptare.
Në kuadër të projektit “Mbështetje për forcimin e Sistemit Gjyqësor në Shqipëri”, financuar nga Spanja nëpërmjet Agjensisë Spanjolle të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID), në datën 6 Shtator, në orën 12.00 do të zhvillohet ceremonia e inagurimit të Zyrës së Shtypit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Në këtë ceremoni që do të zhvillohet në selinë e këtij institucioni, do të marrin pjesë Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio, dhe Zv/Presidenti i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.
Është parashikuar që në aktivitet te asistojnë anëtarë të KLD, Magjistratë dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që punojnë në fushën e drejtësisë ne Shqipëri.
Zyra e Shtypit lind me një objektiv të dyfishtë për ti transmetuar qytetarit një informacion të vërtetë dhe objektiv, dhe në të njëjtën kohë nxit përhapjen e aktiviteteve gjyqësore. Kështu, do të nxitet transparenca e informacionit dhe një bashkëpunim i plotë me mjetet e komunikimit.
Në kuadër të projektit spanjoll janë fuqizuar kapacitetet e zyrës përmes trajnimit të personave përgjegjës nga ekspertë spanjollë si dhe janë blerë paisje për zyrën.
Realizimi i këtij projekti i përgjigjet objektivit strategjik të Kooperacionit Spanjoll në konsolidimin e Shtetit të së Drejtës në Shqipëri, dhe më konkretisht në forcimin e sistemit gjyqësor nëpërmjet vënies në punë të mjeteve si Zyra e Shtypit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që përmirëson nivelin e komunikimit ndërmjet sektorit gjyqësor dhe shoqërisë civile shqiptare.
e.r/NOA