Tiranë, 3 shtator, NOA – Para nisjes së sesionit të ri parlamentar kryetari i Partisë Socialiste po zhvillon takime me deputetët e të gjitha qarqeve. Pas takimit me deputetët e Tiranës, sot Rama është takuar me deputetët e Vlorës dhe të Gjirokastrës.
Burime nga Parti Socialiste thanë për Agjencinë NOA se në qendër të takimit ka qenë riorganizimi i strukturave partiake dhe përgatitja për fazën e re të betejës opozitare.
Rama ka kërkuar nga deputetët që janë të pranishëm në bazë dhe të shtojnë kontaktet me elektoratin. Ky aktivitet duhet të marrë parasysh dhe mundësinë e nisjes së protestave, por nga ana tjetër është dhe një parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Pritet që gjatë fundjavës kryetari i Partisë Socialiste të zhvillojë një takim me të gjithë deputetët e grupit parlamentare të PS-së.
Ndërkohë që takimet e veçanta në bazë të qarqeve kanë në qendër të tyre çështje konkrete që kanë të bëjnë me zona të veçanta.
a.k/NOA