Tiranë, 3 Shtator, NOA – “Jam e sigurt se në këtë sallë do të merren vendime të tjera jetike e të rëndësishme, për të përmbushur me shpejtësi dhe standardet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në familjen evropiane”.
Kështu është shprehur kryeparlamentarja Jozefina Topalli nga salla e re e seancave plenare, duke e vizituar të restauruar atë.
“Në këtë sallë parlamenti ne do të jemi dëshmitarë të vendimeve historike dhe do të shohim brenda javëve që vijnë se si shqiptarët do të lëvizin të lirë në Europë. Një ditë që do të shënohet përjetësisht në historinë e këtij kombi, si një premtim i realizuar i PD-së. Është shumë inkurajues për shqiptarët opinioni i djeshëm në Bruksel se ne, jo vetëm i kemi përmbushur kushtet, por kemi progres të mirë në luftën kundër korrupsionit".
Këto fjalë shprehu sot Kryetarja e Kuvendit, në sallën e re të seancave parlamentare, rikontruksioni i së cilës u arrit në një kohë rekord, brenda 28 ditëve”, tha ajo lidhur me një fakt të tillë.
Më tej, ajo ftoi sot mediat për të parë nga afër sallën me një imazh rrënjësit të ndryshuar, ndërsa tha:
“Jam shumë e kënaqur që pjesa përballë nuk ka asgjë të përbashkët, nga ajo që ishte përpara 20 viteve, dhe i takonte këtij parlamenti ta bënte këtë ndryshim tërësor. Unë jam e kënaqur që sot salla e Kuvendit të Shqipërisë ka pamjen e një Parlamenti Europian. Nuk mund të ndodhte ndryshe, kur gjithë Shqipëria ka ndryshuar, do të ndryshonte edhe salla e parlamentit”.
Sipas saj, do të jetë pikërisht kjo sallë plenare, kjo fytyrë europiane e një parlamenti europian që secili prej nesh e duam dhe e dëshirojmë, për të cilin ne punojmë çdo ditë, për të marrë vendime të tjera, të rëndësishme e të guximshme.
“Unë e di se do të ketë përsëri vështirësi, unë e di se do të ketë përsëri njerëz të cilët do të përpiqen të bëhen pengesë, për të arritur reforma të tjera, dhe për ta bërë këtë vend, një vend anëtar të Bashkimit Europian”, përfundoi ajo.
n.e/NOA