Gjirokastër, 3 shtator, NOA – Një telefonat në celularin e punonjësit të Policisë Rrugore në Gjirokastër ka bërë të mundur arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e 40 kilogramëve hashash.
Korrespodenti i Agjencisë NOA njofton se dy personat e arrestuar mëngjesin e sotëm në vendin e quajtur Uji i Ftohtë në Gjirokastër janë; 32-vjeçari Sokrat Ymeraj, lindur dhe banues në Fier dhe 23-vjeçari Henri Xhaferaj, nga Fieri i dënuar më parë me 3 vjet e 5 muaj burg në Greqi për shitje të lëndëve narkotike.
Pas sinjalizimit të punonjësit të policisë, ky i fundit ka njoftuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në Tepelenë dhe sektorin e anti-drogës në Gjirokastër.
Alarmi i policisë ka bërë të mundur bllokimin e rrugës kryesore për në shtetin fqinj.
Pas kontrollit të mjeteve policia ka hasur në një çantë në makinën ku udhëtonin dy personat e arrestuar.
Korrespodenti i Agjencisë NOA njofton se automjeti me të cilat udhëtonin dy të rinjtë është me targat FR 7006 C.
Në bagazhin e makinës dy të rinjve u është gjetur një çantë me 30 pako të mbështjella me letër natriban ku gjenden rreth 40 kilogramë lëndë narkotike.
a.k/NOA