Tiranë, 4 shtator, NOA – Në kuadër të projekteve sezonale që organizohen në ndihmë të njerëzve në nevojë, këto ditë Fondacioni “Shoqëria & Albanian Qatar Center” bëri të mundur shpërndarjen e 23 500 kg mish në bashkëpunim me shoqatën humanitare australiane “Human Appeal International Australia”.
Shpërndarja e mishit u bë e mundur në saje të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet Fondacionit dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal, si 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit dhe përfaqësuesve të shoqatave humanitare që operojnë në Shqipëri.
Nga këto ndihma përfituan 5384 familje me nevoja ekonomike dhe familje me fëmijë jetimë të rretheve Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Krujë.
Prej përfituesve të tjerë nga shpërndarja e këtyre ndihmave përmendim fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, shoqata të personave me kërkesa të veçanta (Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë, Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë, Shoqata Kombëtare e të Verbërve), Shtëpia e të Moshuarve Tiranë, shoqata e pensionistëve UKPP etj.
Ky aktivitet human vjen dy javë pas realizimit të shpërndarjes së ndihmave ushqimore me rastin e muajit të Ramazanit.
n.e/NOA